Nazarko: Akuzat ndaj Bashës pjesë e fushatës

Shqipëria

Nazarko: Akuzat ndaj Bashës pjesë e fushatës

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 18:23
Mentor Nazarko

Analisti Mentor Nazarko i ftuar sot në rubrikën “Opinion” në News24, komentoi akuzat në drejtim të kryedemokratit Lulzim Basha se ka fshehur kasetën e masakrës në Krushë të Madhe gjatë kohës që punonte pranë UNMIK. Nazarko tha se këto akuza janë pjesë e fushatës zgjedhore në prag të së cilës jemi.

“Nuk e besoj se në këtë histori ka diçka që duhet ta fajësoj Bashën për kasetën, nuk besoj as që Bellanica është i manipuluar. Mendoj që Basha ka kryer një rol profesional që sot pas kaq vitesh s’ka pse ndjehet përgjegjës. I mendoj pjesë të fushatës akuzat që po bëhen në lidhje me zhdukjen e kasetës së masakrës në Krushë të Madhe”,- tha analisti.

Sa për situatën në Kosovë, Nazarko u shpreh se duhet të vijohet dialogu me Serbinë dhe të mos bëhet asnjë kompromis.

“Kosova sot e ka forcën më të madhe të negociatave nëse krijon unitet brenda vetes. Serbia nuk mund të thotë që nuk po bëhet drejtësi. Kosova të mos bëjë asnjë kompromis tjetër, por të vijojë dialogun. Jetojmë në një kohë vakumi, fuqie në Kosovë se njeriu më me ndikim ishte ambasadori Grenall ai sot se ka mendjen tek Kosova, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë janë të rinj, pra në kushtet e një vakumi askush nuk e ka mendjen tek dialogu”.

Por ndërsa Shqipëria pret zgjedhjet vitin tjetër në një kohë që pandemia e Covid vijon, Nazarko nuk veçon si fituese asnjë parti politike. Ai thotë se për të përballuar pandeminë vendit i nevojitet një qeveri me bazë të gjerë.

“Pandemia thuhet se është një nga faktorët që çoi në rënien e Trump, por në ato zona me vdekshmëri të lartë ai kishte fituar. Mund të përfaqësojë një rast kur pandemia nuk i do ndryshimet politike. Kjo ngjan se favorizon qeverinë, si dhe faktin e pjesëmarrjes që supozohet se do jetë e ulët. Nuk mund të bëjmë kasandrën. Por ekonomia, ekonomia do të ndikohet.

Unë jam i prirur që të favorizoj një zgjidhe unitare, uniteti. Një qeveri me bazë të gjerë që adreson drejt një çështje si pandemia, krijimi i institucioneve që kanë ngecur nga reforma në drejtësi. Pra, të mos vuhet më nga përcarja që ekziston mes forcave politike. Jam i mendimit se kriza si pandemia e tërmeti që ndikojnë duhet të adresohen në mënyrë kohezive nga një qeveri me bazë të gjerë”.

I pyetur se sa ka gjasa të ndodhë në Shqipëri një gjë e tillë, analisti u shpreh: “Ndoshta edhe këto kritikat e fuqishme që vijnë mbi Bashën mund të jenë përpjekje për një pazar të mirë… Unë nuk kam informacion, këto janë thjesht pandehma, s’jam as fallxhor. E kam të vështirë të besoj se në katet e sipërme të politikës po zhvillohen negociata të tilla”.

Ai po ashtu u shpreh se ndryshimet në kodin elektoral i favorizojnë partitë e vogla.

“Kjo skenë politike sado që duket e mbipopulluar ka nevojë për parti të reja, aktorë të rinj. Besoj që mund të kemi surpriza në këto zgjedhje. Kemi rastin e Lëvizjes 5 yje në Itali”, shtoi Nazarko.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat