Si po shfrytëzohet pandemia nga krimi për pastrim parash

Shqipëria

Si po shfrytëzohet pandemia nga krimi për pastrim parash

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 20:25
Foto ilustrim

Ndërkohë që pandemia Covid ka futur shumë biznese në kaos dhe ka falimentuar shumë të tjerë, disa të tjerë kanë përfituar nga kjo gjendje.

Kriminelët dhe terroristët mund të përfitojnë nga rënia ekonomike dhe falimentimi i biznesve duke investuar paratë e tyre në blerjen e pronave dhe ristrukturimin e kredive nëpërmjet përdorimit të fondeve të tyre.

Pandemia Covid-19 i jep hapësirë kriminelëve të pastrojnë paratë dhe të financojnë terrorizmin. Është ky alarmi që ngre drejtoria e pastrimit të parave dhe me anë të një udhëzimi të siguruar nga Report Tv i kërkon qeverisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit të jenë vigjilente.

“Të dhënat e raportuara tregojnë se gjatë kësaj periudhe kriminelët kanë provuar të shfrytëzojnë gjendjen e pandemisë për të mbledhur fonde për organizata bamirëse fiktive, mashtrime në fushën e mjekësisë dhe shitjet në internet të ilaçeve të falsifikuara dhe furnizimeve mjekësore, siç janë pajisjet e testimit dhe ato që shërbejnë për mbrojtjen personale”.- thotë dokumenti i drejtorisë së pastrimit të parave.

Po si realizohen këto?

Sipas drejtorisë së pastrimit të parave keqbërësit arrijnë qëllimet e tyre: Duke u prezantuar si zyrtarë të qeverisë; Falsifikimi, përfshirë këtu i produkteve thelbësore (furnizimet mjekësore dhe ilaçet), Mbledhja e fondeve për organizata fiktive në fushën e bamirësisë; Skema të mashtrimit në fushën e investimeve.

Tjetër mënyrë ku qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm si dhe institucionet publike i përket edhe botës së internetit dhe telekomunikacionit me smartphone.

Në disa nga përpjekjet e fundit, kriminelët krijuan email të rremë të Organizatës Botërore të Shëndetit (phishing), instaluan viruese (malware) në aplikacione të telefonave celularë që përdoren për të gjurmuar rastet e të infektuarve si dhe kanë dërguar mesazhe SMS duke pretenduar të jenë personel mjekësor, duke kërkuar pagesa për trajtimin e ofruar ose duke premtuar ofrimin e fondeve për ndihmë emergjente’’ –thuhet në dokument. 

Më tej thuhet se “Në kushtet rënies ekonomike, kriminelët dhe terroristët mund të kërkojnë të investojnë në pasuri të paluajtshme ose biznese me probleme, të cilat mund të përdoren për të gjeneruar para dhe për të fshehur të ardhurat e jashtëligjshme. Mënyra të tjera janë dhe përdorimi i fondeve nga aktivitetet kriminale në procedurat e falimentimit të bizneseve apo ristrukturimi i kredive.

E në këtë situatë udhëzimi i siguruar nga ReportTv paralajmëron se ekziston shqetësimi që grupet terroriste mund të përdorin krizën e COVID-19 për të mbledhur ose transferuar dhe për të intensifikuar aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm.

Në Shqipëri prej javësh policia e prokuroria kanë disa të proceduar për veprën penale të mashtrimit në lidhje me Covid-19, ku në një rast një transaksion qindra mijëra euro i ardhur nga italia për blerje maskash kirurgjikale rezultoi mashtrim për të cilin hetimet vijojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat