Fushatë në kohë pandemie, partitë politike ‘takime online’ me elektoratin 

Shqipëria

Fushatë në kohë pandemie, partitë politike ‘takime online’ me elektoratin 

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 21:52
Pamje nga video

Ndonëse na ndajnë 5 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, partitë politike kanë nisur punën për të fituar votën e elektoratit.

Por, ndryshe nga vitet e tjera, fushata politike në këto zgjedhje do të karakterizohet nga mungesa e takimeve fizike për shkak të COVID-19.

Për sekretarin organizativ të socialistëve, Arben Pëllumbi, pandemia ka përmbysur planet duke vështirësuar edhe punën për partitë.

“Vendimi i fundit i Komitetit të Ekspertëve për ne që merremi me organizimin e partive na e ka vështirësuar mjaft punën. Të gjitha aktivitete kryesore të partisë jemi duke i kaluar në komunikime online. Po japim orientimin që duke shfrytëzuar akoma mundësinë që deri në 10 persona mund të zhvillohen këto takime. Një mesazh që mund ta transmetonin një pasdite në shumë  njerëz do të na duhet ta transmetojmë në shumë pasdite në pak njerëz”, thotë Arben Pëllumbi, Sekretar Organizativ i PS.

Edhe në kampin opozitar, takimet e drejtpërdrejta nuk do të mungojnë, por komunikimet online do të jenë në qendra e fushatës.

“Duke mobilizuar të gjitha kanalet e komunikimit, jo vetëm kanalet konvencionale të komunikimit, takimin drejtpërdrejtë me qytetarët, mbledhje dhe takimet e mëdha, por edhe përdorimin gjithmonë e më shumë të teknologjisë”, tha Ivi Kaso, Sekretar për Çështjet Zgjedhore në PD.

“Koha sot ka evoluar mjaftueshëm sa për të na dhënë ne të gjitha shanset nëpërmjet teknologjisë që të jemi sa më parë qytetarëve”, deklaron Kejdi Mehmetaj, ish-deputete e LSI-së.

Edhe deputetja Rudina Hajdari e cila pritet të kandidojë nën siglën e “Nismës Thurje” në 25 prill, deklaron do të përdorin teknologjinë për të qenë pranë elektoratit.

 “Jemi duke marrë masa në këto kushte që jemi, duke përdorur teknologjinë dhe rrjetet sociale në mënyrë që ne të shtrihemi sa më shumë”, tha znj. Hajdari.

Por, a do të penalizojë partitë e reja, mungesa e takimeve fizike? “Padyshim që është një kufizim dhe e bën më të vështirë fushatën, por ne duhet të përshtatemi", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat