Cakaj kundër sherreve politike në Shqipëri mbi UÇK-në: Gjykata Speciale është e padrejtë, duhet unitet kombëtar 

Shqipëria

Cakaj kundër sherreve politike në Shqipëri mbi UÇK-në: Gjykata Speciale është e padrejtë, duhet unitet kombëtar 

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 22:01
Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj përballë gazetares Ilva Tare në Euronews Albania komentoi zhvillimet e fundit në Kosovë, ku ish-krerët e UÇK-së janë dërguar në Gjykatën e Hagës dhe po gjykohen për krime lufte.

I pyetur nëse Shqipëria do të miratojë një rezolutë për të dënuar krimet e Serbisë të kryera mbi qytetarët e Kosovë, z. Cakaj tha se ky vendim nuk është në dorën e tij.

“Ky nuk është vendim që mund ta marrë unë, por ky është një diskutim që mund të behët me aktorët e involvuar në këtë proces, unë edhe njëherë e theksoj, se kështu duhet të ndodhë që Shqipëria duhet të punojë në shërbim të drejtësisë në zbardhjen e të vërtetës dhe asnjë term tjetër për atë që ka bërë Serbia në Kosovë, përveç gjenocidit. Serbia synon të tjetërsojë historinë”, tha Cakaj.

Nga studioja e Euronews Albania, ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë doli në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa tha se lufta e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi ka qenë totalisht e drejtë.

“Kosova vetë e ka votuar atë gjykatë, ndërsa përgjegjësia është e atyre që e kanë imponuar. Kodave nga dhjetori i viti 2000 ka hetuar të gjitha  krimet e luftës nga UNMIK-u, nga Haga, EULEX, nga panelet hibride dhe nga gjykata vendore.  Për atë që ka ndodhur nuk ka luftë më të hetuar se  ajo e UCK-së, por ka qenë luftë e pastër”, tha ai.

Ai u shpreh se Gjykata Speciale në Kosove është e padrejtë, dhe për këtë z. Cakaj tha se kombi shqiptar nuk duhet të lejojë tjetërsimin e historisë.

“Është fare e thjeshtë që Gjykata Speciale ka qenë padrejtë dhe nuk mund ta lejojmë që ajo ta tjetërsojë historinë, ndaj duhet ta ngremë zërin si komb dhe si shoqëri, por nga ana tjetër Gjykata Specialja politikisht ka qenë e pashmangshme, dhe në këtë fakt duhet të bëjmë më të mirën për të zbardhur përfundimisht luftën e UÇK, por kjo po ashtu nuk do të thotë të mos flasim për krimet e Serbisë”, tha ai.

Ai nuk zgjodhi të komentojë përplasjet dhe akuzat mes palëve politike në Shqipëri mbi UÇK-në, por bëri thirrje për një unifikim kombëtar në mbrojte të interesit të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.

“Përtej çdo diskutim të brendshëm, unë mendoj se kjo është një kohë që unitetit kombëtar është i nevojshëm, dhe unë nuk dua të bëj politikë të brendshme kur flitet për Kosovën, dhe në këtë përudhë Shqipëria ka qenë pranë Kosovës, që nga kryeministri e deri tek institucionet përkatëse. Politikë bëhet më shumë se sa ajo që shfaqet në media. Për këtë çështje, ka veprime të shumta, por ne nuk jemi duke u kursyer në të mirën e shqiptarëve të të gjithë rajonit”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat