Intervista e plotë e njeriut që e admiron Edi Rama: Arkani është hero, Kosova është Serbi

Shqipëria

Intervista e plotë e njeriut që e admiron Edi Rama: Arkani është hero, Kosova është Serbi

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 13:36
Foto ilustrim

Pas publikimit të mesazhit që kryeministri shqiptar i nisi Sinisha Mihajloviqit për të shprehur “admirimin antik” të tij dhe solidaritetin për luftën me sëmundjen, ia vlen të risjellësh në kujtesë se qfarë qëndrimesh ka mbajtur publikisht Mihajloviqi për Sllobodan Millosheviqin, të ashtuquajturin “Kasapin e Ballkanit” dhe Zeljko Raznatoviqin, i njohur ndryshe si Arkani, një nga personazhet më gjakatarë të luftës së Kosovës dhe jo vetëm.

Kështu, ndryshe nga kryeministri i Shqipërisë, vetë Mihajloviq admirimin e tij e kishte për atë që e quan “hero” të Serbisë, Arkanin, shefin e njësiteve paraushtarake, i famshëm për masakrat ndaj popullsisë civile në Kroaci, Bosnjë dhe në Kosovë.

Në një intervistë për mediat italiane, kur mori drejtimin e Milanit, Mihajloviq thoshte: “Arkan-in e kam pasur mik. Nuk mund të flas keq për të pasi për mua dhe popullin tim ka qenë një hero. Në jetë kam edhe miq mafiozë, por nuk mund të më etiketoni si të tillë, pasi gjithkush ka personalitetin e tij”.

Për ish presidentin e Serbisë, Millosheviqin, Mihajloviq pranon se ka pasur një marrëdhënie personale dhe e ka takuar disa herë: “Kam folur disa herë me Milosevic-in dhe jam takuar me të në zyrën e qeverisë. Në mur mbante të varur fanellën time të Crvena Zvezda-s. Gjithnjë më tregonte se ai dhe e gjithë Serbia, ndiheshin krenar me mua”.

I pyetur nga gazetarët për pavarësinë e Kosovës, Sinisa vijon: “Kosova është Serbi. Nuk mund të quhet e pavarur pasi aty jetojnë serbë dhe këta të fundit nuk mund t’i dëbosh nga shtëpitë e tyre”.

Në një mesazh që kryeministri i Shqipërisë i dërgonte Mihajloviqit, ai shprehte një admirim që e bën të shprehet gati miklues dhe të ndrojtur përballë Sinisha Mihajloviqit, që në fund të fundit, kur vjen qështja të shprehej për “idhujt” e tij, nuk dilte përtej interesave të popullit serb, një diferencë jo e vogël kur lexon letrën e Ramës.

Mesazhi i plotë i Ramës për Mihajloviqin

“I dashur mister, jam Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombëtares së basketbollit shqiptar dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Aleksandar Vuqiq. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad.

Kam dashur gjithnjë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditjet e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni edhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës tuaj të së ardhmes.

E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik.

Ju kërkoj ndjesë që nuk arrita t’ju shpreh më mirë ndjenjën e vlerësimit të lartë dhe simpatisë kundrejt jush, por nëse do të duhej një dëshmitar, atëherë miku ynë i përbashkët mund t’ju sigurojë se, tashmë prej vitesh, nuk ndodh asnjëherë që të mos flasim për ju si një figurë speciale në botën e futbollit.

Duke ju uruar gjithë të mirat juve dhe të dashurve tuaj, nuk po ju bezdis më me shpresën se një ditë do të mund t’ju takoj personalisht. ER”.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat