“Na kanë frikë, sepse ne kemi rininë”, Rudina Hajdari mesazh të qartë për partitë tradicionale 

Shqipëria

“Na kanë frikë, sepse ne kemi rininë”, Rudina Hajdari mesazh të qartë për partitë tradicionale 

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 21:04
Rudina Hajdari

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit krahas partive historike në garë do të jenë edhe forca të reja politike, dhe një ndër to është edhe Nisma e Rudina Hajdarit. Gjatë një interviste në Euronews Albania me gazetaren Ilva Tare, znj. Hajdari tha se më 28 nëntor do të prezantohet platforma e partisë, datë kjo që përkon edhe me 108-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

“Është një datë, e cila besoj se shumë prej nesh identifikohen dhe është një datë shumë e rëndësishme për ne. Është nja datë e rëndësishme për lëvizje e re politike, që do lind atë ditë. Besoj se do kemi një format, i cili në fakt do të ketë fjalime, por do ketë edhe një shpalosje të një vizioni dhe platforme, e cila do të thellohet në vijim”, tha ajo.

Për herë të parë znj. Hajdari zbuloi në Euronews Albania filozofinë e partisë së saj. Ajo tha se do jetë parti e qendrës dhe do përpiqet të marrë vota nga të gjitha palët, përfshirë edhe nga elektorati i të zhgënjyerve.

“Nga boshti ideologjik është parti e qendrës dhe ne jemi munduar të kuptojmë se në kontekstin shqiptar nuk ka një betejë mes të djathtës dhe të majtës, por këtu ka një betejë mes të qënurit poshtë dhe lart dhe për këtë arsye se një parti e re politike duhet të jetë një lëvizje e re ku shumë njerëz të shohin veten e tyre për problemin që ata kanë. Po mundohemi të rrimë në qendër, që të thithim elektoratin gri, ato të pakënaqurit”, theksoi ajo.

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari u shpreh se në partinë e saj do ketë emra me profil të lartë publik.

“Padyshim çdo qark do jetë i përfaqësuar dhe çdo kandidat do ketë përgjegjësinë e atij qarku. Ne kemi afruar kandidatë që janë të aftë, pasi kanë profil të lartë publik. Të gjithë që janë aty kanë pasur aktivizim të lartë dhe kanë një profil të tyre për një kohë të gjatë”, theksoi ajo.

E pyetur se si do garojnë e vetme apo në listë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, znj. Hajdari nuk u shpreh konkretisht, por shpalosi këtë argument:

“Mendoj se është vendim në formë kolegjiale, por duhet të ngelemi pak të ftohtë dhe mos të nxitohemi duke parë arenën gjatë fushatës. Gara në tërësi është shumë shëndetshme, dhe duhet të këtë garë dhe garat nuk duhet të etiketohen si të blera dhe të ndara mes dy kampeve. Në të dyja anët ka të pakënaqur. Marr telefonata që kanë dëshirën dhe thonë se do votojmë për ju se janë të zhgënjyer”, theksoi ajo.

Ajo tha se jo vetëm PD-ja, por edhe partitë e tjera të vjetra e kanë frikë projektin e ri politik ku ajo bën pjesë.

“Lëvizja e re politike nuk ka pronar është organizuar në mënyrë horizontale dhe do krijojë një ekip shumë të mirë. Ne nuk na shqetëson pjesa majtas apo djathtas, por ajo që na intereson është gjendja e shqiptarëve. Na kanë shumë frikë, jo vetëm PD, por dhe partitë e vjetra sepse ne kemi ato fuqi që ata nuk i kanë. Ne kemi rininë.”, sqaroi Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat