Buxheti dhe rindërtimi, Elton Haxhi: Pse qeveria heziton për një rimbyllje të dytë

Shqipëria

Buxheti dhe rindërtimi, Elton Haxhi: Pse qeveria heziton për një rimbyllje të dytë

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 21:11
Elton Haxhi

Pavarësisht se po bëhet viti nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit të vitit të shkuar, projekti i rindërtimit të shtëpive të shkatërruara nuk ka ecur siç u premtua filimisht nga ana e qeverisë shqiptare. Ish-zëvendësministri i Financave, Elton Haxhi, në një intervistë me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania, tha se janë kryer shpenzime dhe janë përthithur fonde për këtë çështje, por nuk janë të mjaftueshme.

Ai shton se ekonomia shqiptare nuk ka kapacitete reale dhe as aftësi bindëse për të përthithur investime apo fonde të huaja. Zoti  Haxhi tha se sipërmarrja shqiptare nuk ka njohuri të mjaftueshme, të cilat do ta bënin atë më konkurruese.

“Kufizimi për thithjen e fondeve vjen për shkak të mungesës së njohurive. Pjesa e pronës dhe zbatimit të ligjit është detyrë e organeve të qeverisë, jo e qeverisë, por përtej saj. Tek pjesa e njohurive qeveria mund të bëjë diçka, por jo gjithçka. Kur them njohuritë, nuk e kam parasysh punëtorin, por e kam me sipërmarrësin. Vizionin përpiqemi ta kemi, por nuk e kemi të kristalizuar dhe të segmentuar”, tha ai.

Ai theksoi se qeveria nuk i mbështeti aq sa duhet qytetarët dhe bizneset, të cilat ndaluan punën për shkak të mbylljes nga pandemia e Covid-19.

“Paketa duhet të kishte qenë më e lartë. Në numrin e personave të trajtuar nuk është edhe aq keq, për biznesin mund të ishte bërë më shumë, sidomos tek ato biznese që kanë punësim të lartë, por kufizimet në hapësirën fiskale ishin të mëdha dhe borxhi ka shkuar 80-82 %, sepse pati mosrealizim të ardhurash dhe bizneset nuk punuan dhe kjo ishte e natyrshme dhe nga ana tjetër shpenzimet u shtuan për përkrahjen sociale, dhe u shtuan dhe këto dhanë një borxh, që për Shqipërinë nuk është pak”, shtoi ai.

Eksperti i ekonomisë Haxhi tha se rritja e shpenzimeve dhe mungesa e të ardhurave në buxhet e frenojnë qeverinë për ta çuar vendin në një mbyllje të dytë pas rritjes së infeksioneve të Covid-19.

“Them se po, sepse parashikimet buxhetore nuk e lejojnë një mbyllje të dytë, nëse do ketë një mbyllje të dytë duhet të ishte parashikuar një fond më i madh. Viti 2021 është pak optimist si në krahun e të ardhurave dhe shpenzimeve”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat