Ish-zv. ministri i Shëndetësisë: Shifrat e vdekjeve nga COVID-19 i fsheh qeveria, jo mjekët 

Shqipëria

Ish-zv. ministri i Shëndetësisë: Shifrat e vdekjeve nga COVID-19 i fsheh qeveria, jo mjekët 

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 21:11
Bardh Spahia

Bardh Spahia, ish-zv. ministër i Shëndetësisë dhe ish-deputet i Partisë Demokratike gjatë një interviste për Euronews Albania tha se realiteti në Shqipëri në luftën ndaj COVID-19 është ndryshe nga se e paraqet qeveria.

Për sa i takon debatit dhe akuzave më të fundit të opozitës për fshehje të numrit të viktimave të shkaktuara nga coronavirus, z. Spahia tha se akuza nuk i drejtohet mjekëve por Ministrisë së Shëndetësisë dhe  Kryeministrit.

“Ulja e numrit të vërtetë të viktimave nga COVID me urdhër politik ka qenë një turp i madh i kësaj qeverie dhe Kryeministri që minimalisht duhet të kërkojë falje urgjente. Që në momentin e parë të bërjes publike të këtij fakti, organet kompetente duhet të kërkonin dokumentacionin e nevojshëm pranë morgut”, deklaroi zyrtari i PD-së.

Sipas z. Spahia në të gjitha rastet qoftë kur një person është i dyshuar apo i konfirmuar shkaku i vdekjes duhet përcaktuar nga COVID. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur është e përcaktuar në mënyrë evidente e kundërta si në raste e traumave apo aksidenteve.

Ish-deputeti i PD-së theksoi se pavarësisht se mjekët mund ta shënojnë vdekjen si të dyshuar nga COVID-19, ajo nuk raportohet nga Ministria e Shëndetësisë në listën që bën publike çdo ditë me qëllim për të ulur numrin e viktimave.

“Nuk fajësojmë mjekët, përkundrazi e kemi vlerësuar sakrificën dhe punë e madhe të tyre dhe dënojmë me forcë tendencën për të përfshirë në këtë debat mjekët që nuk kanë lidhje me këtë çështje. Ata janë korrekt me punën e tyre, ka tendencë për të ushtruar presion politik mbi mjekët. E kemi dënuar me forcë përfshirjen e mjekëve”, tha ai.

Ish-zv. ministri i Shëndetësisë tha se ka një numër mjaft të ulësh anestesistësh, reaminatorësh dhe infermierësh që janë trajnuar për të ofruar shërbim në terapitë intensive si dhe mungesë aparaturash.

“Sa i përket aparaturave dëgjojmë Kryeministri që jemi në një nivel me vendet e tjera, por fakt është se sot e kësaj dite në Shqipëri mungon një aparat ekomoje dhe sot e kësaj dite kemi vështirësi në sigurimin e aparateve chipup etj. Etje që në përballimin e kësaj sëmundjeje janë bazike”, tha z. Spahia.

Ish-deputeti i PD duke folur për keq menaxhimin e pandemisë nga qeveria tha se, përfshirja e mjekët të familjes ka ardhur me shumë vonesë si dhe vetëm pas 8 muajsh kemi një protokoll zyrtar sa i takon kurimit për COVID-19, që gjithashtu sipas tij është me mangësi.

“Mjeku i familjes duhej të ishte përfshirë, mjeki i familjes po bën një punë të jashtëzakonshme por nga ana tjetër në shërbim të qytetarëve dhe të vetë mjekëve që është e rrezikuar nga pamundësia për t’u mbrojtur nga mungesat bazike, pasi personeli ende blen maska dhe doreza në mënyrë private. Kjo nuk i vë në kushte optimale sa i takon shërbimit por nga ana tjetër ka dhe një mungesë serioziteti sa i takon protokollit të mjekimit që ka ardhur vetëm pas 8 muajsh dhe me mangësi të jashtëzakonshme”, tha ai.

Z. Spahia foli dhe për një numër i konsiderueshëm mësuesish dhe nxënësish janë infektuar dhe kanë kthyer në një problem të vërtetë të përhapjes së virusit duke thënë se për arsimtarët nevojitej testim në fillim të vitit arsimor dhe në mënyre periodike në mënyrë që të ndalohet përhapja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat