Fermerët po shkojnë drejt falimentimit, tregu në krizë të rëndë

Shqipëria

Fermerët po shkojnë drejt falimentimit, tregu në krizë të rëndë

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 19:57
Besnik Qerreti

Të ardhurat e punës prej 12 vjetësh në emigracion ky fermer i solli në Shqipëri ku investoi fillimisht 150 milion lekë. Nëntë vjet më pas ai tregon se për shkak të krizave të tregut përgjatë këtyre viteve, mezi ka arritur të mbijetojë. Edhe këtë vit mungesa e ndihmës se ku duhet ta orientojë shfrytëzimin e tokës po e çon në faliment.

“Çmimi ka rënë përtokë, vajta edhe nëpër magazinat e eksportit, deri tani nuk ka asnjëra kërkesë për tërheqje. Tregu jonë është 250-300 lekë është kilja. Kjo është ajo fatkeqësia jonë që ne nuk kemi orientim se çfarë mbjellim dhe çfarë duhet mbjell. Në qoftë se ne nuk ngrihen çmimet ne jemi drejt falimentimit”, tha fermeri Besnik Qerreti.

Të njëjtin problem kanë edhe këta fermerë në zonën e Beratit. Ata tregojnë se shpesh prodhimin e kanë hedhur poshtë, duke mos marrë mbrapsht as koston e prodhimit.

“Unë punoj me gjithë grua e me gjithë djalë. Malli tani ka ngelur stok. S`kemi ku e çojmë. Vjet e hodhëm poshtë fare. E njëjta gjë prapë sivjet. Kush ka ardhur të na thotë, ça ndihme doni, për çfarë”, tha fermeri Shpëtim Vesho

“Bëhet malli dhe nuk shitet. Unë që dal tani në treg do dalë me 200 lekë.200 lekë unë nuk laj dot fidanin.”, tha një tjetër fermer.

Tek fermerët mungon orientimi nga zyrat e bujqësisë rreth kulturave, sasive dhe kohës se kur duhet të mbjellin, në mënyrë që dalja e produkteve të tyre të përputhet me kërkesat e tregut. Sipas sindikatës së fermerëve të bashkuar masa e parë që qeveria duhet të marrë është parandalimi i këtyre krizave dhe nëse ato ndodhin duhet të zbatoj planet e parashikuara në ligj.  

Përveç krizave të tregut fermerët po paguajnë shtrenjtë edhe mungesën e garancisë në sektorin e imputeve bujqësore. Shpesh farat apo plehrat kanë bërë që produkti i mbjellë në hektarë të tërë sera të dështoi, dëm që duhet ta paguajnë padrejtësisht fermerët.

“Unë kam pasur 1 dynym serë të mbjellë. Nuk kam shitur asnjë kokërr domate. Kemi komunikuar, ai i farës ja hedh atij të plehrave ai i plehrave atij të farës, dhe në fund barra ngel tek ne”.    

“Unë e kam marrë për farë të garantuar që bënte kokrrën e madhe, për fatin e keq timin fara nuk është e kontrolluar është e degjeneruar që nuk e bën cilësinë e duhur. Tani jam i detyruar që këtë domaten ta kap, ta liroj serën ta nxjerr jashtë, se kjo nuk shitet.”

Mungesa e kontrollit të farave dhe pesticideve në sektorin e bujqësisë krahas dëmit ekonomik që u sjell fermerëve, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e produkteve që këta të fundit hedhin në treg për konsum.    

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat