Vaksina, kur mund të jetë e disponueshme në Shqipëri? Flet ministrja Manastirliu

Shqipëria

Vaksina, kur mund të jetë e disponueshme në Shqipëri? Flet ministrja Manastirliu

Më: 26 nëntor 2020 Në ora: 21:47
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi këtë të enjte në emisionin “Opinion” se janë të paktën 3 kandidatë ku Shqipëria mund të marrë vaksinën.

Aktualisht aleanca Covax ku Shqipëria bën pjesë për të marrë vaksinën po negocion edhe me Pfizer dhe Modernën, dy kompani që kanë deklaruar se vaksinat e tyre kanë efikasitet në luftën kundër Covid.

Megjithëse Shqipëria bën pjesë në Covax, ministrja Manastirliu tha se mund të dalë nëse gjen një opsion të mirë. Ministrja foli edhe për strategjinë që do të ndiqet kur të dalë vaksina edhe pse nuk dha një periudhë se kur mund të vijë në Shqipëri.

“Aktualisht portofoli i Covax përmban 10 kompani të ndryshme që janë duke punuar për vaksinën Sars-Cov-2. Ka mbyllur marrëveshjet me 3 kandidatë potenciale për prodhimin e vaksinës. Qeveria shqiptare duke bërë parapagimin ka hyrë në dritaren e parë të aksesit për vaksinën e sigurt. Janë tre kandidatë potenciale AstraZeneca në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, është Sanofi dhe është Novavaksi. Covax është duke negociuar edhe me Pfizer dhe Modernën.

Qeveria nuk i ka ndalur punët në drejtim edhe të vlerësimit të ofertave të tjera apo negocimeve të tjera që mund të kemi. Mund të blejmë jashtë Covax-it. Mund të negociojmë për ofertën e Covax, në mund të tërhiqemi nga Covax nëse gjejmë një opsion shumë të mirë. Kemi zgjedhur opsionin kur kemi hyrë në këtë marrëveshje dhe kemi punuar në disa drejtime. KE ashtu sikurse ju jeni në dijeni ka nënshkruar 5 kontrata me operatorë të ndryshëm që do të mundësojnë prodhimin e vaksinës.

E para nuk bëhet fjalë sot për dozat, sepse të parët që do të targetohen nga vaksinat janë grupet e riskut. Kemi një strategji në raport me vaksinimin për popullatën duke filluar nga personeli shëndetësor, mësuesit, policët dhe gjithë pjesa tjetër. Ekspertët tanë kanë vlerësuar që fillohet me 20% dhe një ushtrim i mirë është bërë nëpërmjet vaksinës kundër gripit”, tha Manastirliu.

Aktualisht Shqipëria ka parapaguar për të marrë doza për 20% të popullsisë ose për 570 mijë qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat