Qëlloi shokun me armë gjahu, vrasja në Bulqizë aksidentale

Shqipëria

Qëlloi shokun me armë gjahu, vrasja në Bulqizë aksidentale

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 09:29
Ilustrim

Një 23-vjeçar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Bulqizë, por sipas policisë ngjarja dyshohet se është aksidentale.

Fillimisht i riu është dërguar drejt spitalit të Peshkopisë me shenja jete dhe më pas e kanë nisur drejt Tiranës, por nuk ka arritur të mbijetojë.

Policia thotë se viktima është identifikuar si Elidon Basha. Ngjarja ka ndodhur në Njësinë Administrative Fushë Bulqizë rreth orës 23:30 minuta.

Dyshohet se i riu është qëlluar aksidentalisht nga shoku i tij, Klodian Kola, 27 vjeç, me të cilin kishin dalë bashkë për gjah.

Sipas policisë vrasja ka ndodhur “rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, ku shtetasi Klodian Kola, së bashku me shtetasin Elidon Basha, në rrugën Fushë Bulqizë – Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte".

Nga pakujdesia, dyshohet se 27-vjeçari ka plagosur shokun e tij, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës.

Policia, gjeti dhe sekuestroi në vendngjarje, armën e gjahut, një elektrik dore, motomjetin me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat