Këshilli i Qarkut Kukës i heq titullin “Qytetar Nderi” Veton Surroit, reagon Rama

Shqipëria

Këshilli i Qarkut Kukës i heq titullin “Qytetar Nderi” Veton Surroit, reagon Rama

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 16:59
Veton Surroi

Këshilli i Qarkut Kukës ka vendosur që t’i heqë titullin qytetar publicistit të njohur të Kosovës, Veton Surroi.

Këshilli i Qarkut ka argumentuar një vendim të tillë me qëndrimet që Surroi ka mbajtur kohët e fundit për luftën e UÇK-së në Kosovë.

Për këtë vendim ka reaguar dhe kryeministri, Edi Rama, i cili pasi e cilëson “lajthitje kolektive” i kërkon Prefektit të Qarkut të mos e firmosë një vendim të tillë.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit "Qytetar Nderi" Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”, shprehet Rama.

“Ky vend s'mund të jetë një planet më vete brenda botës që e ka sistemuar me kohë e me vakt këtë punë, ku s'ka president që jep medalje për heronjtë e luftërave të shkuara se kështu i thotë koka dhe s'ka këshill që ia heq titullin dikujt me kërkesë të disave! Boll me këtë absurd”, ka shtuar kryeministri.

Veton Surroi u shpall “Qytetar Nderi” i Kukësit në vitin 2015 me propozim të klubit letrat “Anton Pashko” për kontribut të veçantë në fushën e medias dhe politike gjatë krizës së luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat