Pse po largohen shqiptarët? Ilir Gëdeshi rendit faktorët që po tkurrin vendin

Shqipëria

Pse po largohen shqiptarët? Ilir Gëdeshi rendit faktorët që po tkurrin vendin

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 20:04
Ilir Gëdeshi

Kërkesat për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian u rritën ndjeshëm në shtator, duke arritur shifrat më të larta që nga shkurti. 655 aplikimet e dy muajve më parë, përkthehen me rritje 62 për qind, para se të vendosej kufizimi i lëvizjes prej pandemisë.

Ilir Gëdeshi, drejtues i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale tha se shkaqet që ndikojnë në rritjen e kërkesës së azilkërkuesve janë ato ekonomike dhe sociale.

“Azilkërkuesit shqiptarë kanë qenë një konstante që nga viti 2013, rriten dukshëm në 2015, dhe pastaj për shkak se nuk janë pranuar, kjo shifër ka rezultuar e ulët. Pas këtyre shifrave qëndrojnë faktorët ekonomikë që i ka shtyrë shqiptarët. Kjo tendencë nga koha e pandemisë ka rënë, dhe pas pandemisë është rritur. Shkaku që e shpjegon, që edhe në korrik dhe gusht ka pasur azilantë lidhet kryesisht me faktorët ekonomikë”, tha ai.

Gjatë një interviste në Euronews Albania me gazetaren Bruna Çifligu, z. Gëdeshi theksoi se ky fenomen vihet re më shumë në zonat veriore të Shqipërisë, kryesisht në Kukës dhe në Peshkopi.

“Përveç faktorit ekonomik janë edhe arsyet shëndetësore, arsimim më të mirë, me strehimin ose me konfliktin që mund të ketë ndonjë person i veçantë, por kryesorja është faktori ekonomik. Si fenomen është i përhapur kudo në Shqipërinë veriore, por më së shumti është në verilindje si; Kukësi, Peshkopia, Shkodra, Elbasani, Tirana, Durrësi e kanë të përhapur fenomenin e azilit, kryesisht nga shtresat e paprivilegjuara, njerëz që nuk kanë të ardhura dhe kanë arsimim më të ulët”, tha ai.

Ai thekson se nuk ka politika të duhura për të ri-integruar qytetarët, që janë të papunë dhe nuk kanë një arsimim të kënaqshëm.

“Po vetë fakti që një pjesë që janë ripërtëritës të kërkesës për azil, tregon që nuk arrijnë të integrohen në vend dhe e shohim emigrimin si të vetmen shpresë. Duhet që t’u hapësh horizonte të reja, punësim dhe mundësi të reja. Papunësia dhe varfëria është faktor i mjaftueshëm për t’i shtyrë shqiptarët për kërkesa për azil. Azili është një segment, kurse emigracioni ka qenë konstant në 30 vitet e fundit”, theksoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat