“Covid përhapet nga muzika” Klosi: I qëndroj deklaratës, kam studiuar për elektronikë

Shqipëria

“Covid përhapet nga muzika” Klosi: I qëndroj deklaratës, kam studiuar për elektronikë

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 22:09
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i ftuar në ABC News foli për proçesin e rindërtimit të shtëpive të rrënuara nga tërmeti. Klosi gjithashtu vijon t’i qëndrojë deklaratës që bëri disa muaj më parë, se valët e muzikës e transmetojnë më shumë koronavirusin.

“Sa i përket rindërtimit, pandemia është një faktor shumë i vështirë. Një nga kartat e forta për PS, do të jetë mënyra sesi menaxhuam një ngjarje të jashtëzakonshme, për qytetarët dhe sesi po përpiqemi kaq fort, për të krijuar ambientin e nevojshëm për sistemim e këtyre qytetarëve…Në faza të caktuara e kemi menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer.”

I pyetur nëse, në gjithë këtë proces kishte diçka që nuk shkoi mirë, ministri theksoi sërish se proceset u goditën fort nga pandemia.

“Proceset u goditën fort nga pandemia. Raporti, i goditjes që morëm ne, i gjithë sistemi, konferenca e donatorëve. Mbi 1 miliard eurot e premtuara janë në proces. 155 shkolla që u dëmtuan janë të gjitha në proces vlerësimi. Zonat e reja të banimit janë në proces… askush nuk u la jashtë vëmendjes.”

Megjithatë, Blendi Klosi e pranoi se jo në të gjithë Shqipërinë situata është rozë, “ka edhe detaje që nuk ecin.”

“Kur u bë plani i rindërtimit, nuk mendohej mbyllja, këto janë probleme që duhet t’i marrim në konsideratë..”

Po ashtu, ministri sqaroi se nuk është muzika ajo që vret, por kushtet që krijohen në kushtet e ambienteve të mbyllura, ku luhet muzikë me volum të lartë. Duke shtuar se qeshi me ata që bënë humor, Klosi theksoi se ka mbaruar për elektronikë, duke nënkuptuar se e di se për çfarë po flet.

“I qëndroj deklaratës për muzikën. Është shumë evidente, në vende ku ka muzikë të lartë nuk do duhet të rrihet. U kërkova ndjesë komunitetit të artistëve. Nuk të vret muzika, muzika, e lartë në ambiente të mbyllura, valët e muzikës, njerëzit flasin me zë të lartë, nuk duhet në vende të mbyllura me muzikë të lartë të qëndrojmë… ajo vala krijon..Kam mbaruar për elektronikë, e di si funksionon, qesha me ata që bënë humor.”

Prej dy javësh, ministri është tashmë negativ për koronavirusin, dhe duke folur për eksperiencën e tij ai u bëri thirrje qytetarëve që ta marrin me seriozitetin e duhur.

“Është një sëmundje e keqe, e pabesë. Isha në gradën e kujdesshme. Kam një thirrje për qytetarët, kur ndjehen të goditur të lidhen menjëherë me mjekët. Mua më ndoqi mjeku im. Pata edhe një kolpo diabeti. I pata të gjitha ato që dëgjojmë. Nuk mora oksigjen. Nga diabeti isha shumë i kujdesshëm. Thirrja kryesore është që të mos e nënvlerësojmë. Pas ditës së pestë janë  ditë shumë të vështira, dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm.” 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat