Fëmijët në reformën për drejtësi/ UNICEF flet rreth shërbimeve për fëmijët në konflikt me ligjin

Shqipëria

Fëmijët në reformën për drejtësi/ UNICEF flet rreth shërbimeve për fëmijët në konflikt me ligjin

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 15:28
Pamje nga video

Një përfaqësuese e UNICEF-it në Shqipëri tha nga Gjirokastra se reforma në drejtësi duhet të prodhojë zgjidhje miqësore për fëmijët në konflikt me ligjin, ndërsa tërhoqi vëmendjen për detyrimin që institucionet publike kanë për të ndërmarrë veprime në interesin më të lartë të të miturve.

Në Gjirokastër, UNICEF dhe Save the Children sapo përfunduan një mision 18 mujor që synoi ngritjen e shërbimeve rehabilituese dhe mbështetje për riintegrimin e fëmijëve në konflikt me ligjin. Programi që asistoi dhjetëra fëmijë të përfshirë në krime apo dëshmitarë të krimit krijoi edhe një model të parë bashkëpunimi mes institucioneve vendore që e kanë detyrim ligjor mbrojtjen e të miturve.

“Ne jemi shumë të kënaqur të mbështesim fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Për UNICEF një nga aspektet më të rëndësishme të reformës është që ai të jetë sa më miqësor me fëmijët. Ne mbështesim përpjekjet që ligjislacioni duhet të prodhojë për të qenë në harmoni me të drejtat dhe nevojat e fëmijëve. Aspekti më kryesor është garancia që sa herë një fëmijë bie në kontakt me drejtësinë të marrë trajtim miqësor me synim riintegrimin”.

Aktorët lokalë kanë nënshkruar një marrëveshje që garanton vijimësinë për shërbimet e ngritura gjatë 18 muajve të shkuar përfshi këtu, mundësinë që burgosja të jetë hapi i fundit që ndërmerret ndaj një të mituri, si dhe edukimin, strehimin, punësimin, ndihmën psikologjike dhe parandalimin e rikthimit tek krimi.

“Ka një numër në rritje të fëmijëve të referuar nga policia, prokuroria, gjykata, drejtoria arsimore, të cilët pastaj në bashkëpunim me shërbimet sociale, zyrën e punësimit apo Shërbimin e Provës kanë punuar për të gjetur zgjidhjet më të mira që i përshtaten këtyre fëmijëve”, tha drejtoresha Anila Meço, “Save the Children”.

Sipas UNICEF-it drejtësia restauruese deri tani ka dhënë disa rezultate reflektuar në rënien e numrit të përsëritjes së krimeve prej adoleshentëve me gati 30% më pak krahasuar me një dekadë më parë megjithatë vihet re një rritje e numrit të fëmijëve të dhunuar apo dëshmitarë në krime.

Sipas UNICEF-iy çdo vit mbi 2,500 fëmijë në Shqipëri janë në kontakt me sistemin e drejtësisë, si të dyshuar fajtorë, viktima apo dëshmitarë të krimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat