Shqiptarët kursejnë më shumë/ Depozitat bankare shkuan në 8.7 miliardë euro gjatë pandemisë

Shqipëria

Shqiptarët kursejnë më shumë/ Depozitat bankare shkuan në 8.7 miliardë euro gjatë pandemisë

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 16:05
Pamje nga video

“Pasiguritë e shtuara për shkak të pandemisë Covid-19 kanë bërë që shqiptarët të shtojnë kursimet, pasi depozitat kanë shënuar rritje edhe gjatë tetorit.”

Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se totali  i depozitave arriti në 1.08 trilionë lekë apo 8.7 miliardë euro deri në fund të muajit të kaluar, nga 8.1 miliardë euro që ishte kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje e ndjeshme e depozitave vjen në një moment kur vendi prej gati 10 muajsh po përballet me një krizë ekonomike për shkak të koronavirusit. Në kushte të tilla, pikëpyetjet mbi vazhdimësinë e pandemisë kanë bërë që qytetarët dhe bizneset të kursejnë gjatë kësaj periudhe.

Kursimet në lekë janë zgjeruar ndjeshëm duke arritur në 497.5 miliardë lekë si rrjedhojë e depozitave pa afat kryesisht te individët, çka sinjalizon se qytetarët po priren të shpenzojnë gjithnjë e më pak e po zgjedhin “të kyçin” paratë e tyre në banka.

Pavarësisht se leku është monedha zyrtare e vendit, euro dominon kursimet e shqiptarëve, pasi sipas të dhënave të bankës qendrore depozitat në valutë arritën në 4.7 miliardë euro deri në fund të muajit të kaluar. Megjithatë, ndryshe nga depozitat në lekë, ato në euro kanë shënuar një rritje minimale, ndikuar kryesisht nga kursimet pa afat të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat