67 vjetori i çlirimit të Shqipërisë/ Kryemadhi mesazh politikës: Të mos bëhen më gabimet e të kaluarës, të mbyllet një herë e mirë tranzicioni!

Shqipëria

67 vjetori i çlirimit të Shqipërisë/ Kryemadhi mesazh politikës: Të mos bëhen më gabimet e të kaluarës, të mbyllet një herë e mirë tranzicioni!

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 11:52
Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe figura të tjera të kësaj force politike bënë sot homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nëna Shqipëri”, në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e ditës së Çlirimit të Shqipërisë.

Kryemadhi nuk ka nguruar të apelojë që politika shqiptare nuk duhet të bëjë më gabimet e së shkuarës dhe të mbyllë njëherë e mirë tranzicionin.

“Është më e pakta që mund të bëjmë sot në emër të LSI-së, për të vendosur një kurorë në shenjë respekti dhe mirënjohje të 28 mijë djemve dhe vajzave shqiptare për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist. Por ajo që është akoma më e rëndësishme, është që detyra jonë jo vetëm si klasë politike, por detyra jonë si nëna, si gra dhe si vajza, është për të rrënjosur akoma më shumë në zemrën e të rinjve dhe të rejave tanë atë që është shumë më e rëndësishme, dëshira, pasioni dhe dashuria për vendin, dashuria për flamurin, dashuria për atdheun tonë.

Nëna Shqipëri është jo simbol, por nëna Shqipëri është jeta e çdo shqiptari. Prandaj është detyra jonë që sot në këtë ditë përkujtimore, jo thjesht për t’u kujtuar, por është ditë që duhet të rrënjoset në mendjet tona dhe sidomos të klasës politike, që të mos bëjmë më gabimet që kemi bërë dhe për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë situatë tranzicioni, në këtë vit të mbrapshtë siç ishte viti i pandemisë, apo edhe situata pas tërmetit të 26 nëntorit, për të ringritur edhe njëherë pasionin dhe dashurinë për vendin, për të pasur respekt dhe mirënjohje, jo vetëm për dëshmorët tanë, por për të pasur respekt dhe mirënjohje për punën e atyre djemve dhe vajzave që kanë bërë për Shqipërinë. Lavdi dëshmorëve! Faleminderit”,- tha Kryemadhi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat