Pandemia, mjekja shqiptare: Në Itali është duke u përjetuar piku i valës së dytë

Shqipëria

Pandemia, mjekja shqiptare: Në Itali është duke u përjetuar piku i valës së dytë

Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 17:08
Sonela Spasse

Mjekja Sonela Spasse u shpreh për Euronews Albania se në Itali tani është piku i valës së dytë të infeksionit. Ajo tha se masat e marra nga qeveria në 2 javët e fundit në zonën e Lobardisë kanë ulur numrin e infektimeve. 

“Në Itali është duke u përjetuar piku i valës së dytë. Kemi arritur në maksimumin e pikut. Lajm i mirë i djeshëm është që rrethi i Lombardisë ka arritur një zvogëlim të numrit të infektimeve për shkak të masave që janë marrë para rreth 2 javësh. Kështu që edhe spitalet po e ndjejnë këtë reduktim të mbërritjes së pacientëve”, u shpreh mjekja.

“Numrat janë të lartë për të gjithë Italinë, por zona e Bergamos e ka përballuar goxha mirë. Qytetarët i kanë respektuar më shumë rregullat i kanë mbajtur maskat, kanë respektuar distancimet sociale. Ndërsa sa i përket Milanos kjo nuk ka ndodhur. Në fakt numrat më të mëdhenj po shihen në Milano, në zonat me popullsinë të madhe që nuk u prekën rastin e parë”, tha ajo më tej.

Mjekja sqaroi më tej se tashmë bluzat e bardha e njohim më mirë virusin dhe situata është më në kontroll.

“Por në krahasim me marsin tani njihet më mirë virusi, kurat për çdo fazë të infektimit. Nuk pritet më shumë por trajtimet nisin që me mjekun e familjes. Tani kemi më shumë armë që më parë nuk i kishim, armë të reja, protokolle të reja”, tha ajo.

Sa i përket ditëve të festave, ajo tregoi se autoritet italiane kanë vendosur që dyqanet të jenë hapur, por duke respektuar rregullat.

“Deri në këto momente është vendosur që dyqanet të hapen, duke respektuar në çdo moment rregullat e distancimit. Këshillohet që të evitohen përplasjet e shumë njerëzve ose mbushjet me shumë njerëz të ambienteve të mbyllura”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat