Të dhënat e EUROSTAT: Rreth 50 mijë shqiptarë u larguan nga vendi në vitin 2019

Shqipëria

Të dhënat e EUROSTAT: Rreth 50 mijë shqiptarë u larguan nga vendi në vitin 2019

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 16:55
Ilustrim

Qeveria nuk e ka një shifër të saktë dhe zyrtare të numrit të shqiptarëve që lënë vendin çdo vit.

E dhëna e vetme është një përllogaritje që bën Instituti i Statistikave, oir shifra hidhet poshtë nga shifrat zyrtare të institucioneve të huaja.

Të dhënat zyrtare të institutit të statistikave raportuan se 104 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi, mbështetur në diferencën midis atyre që ikin çdo vit dhe atyre që rikthehen, pa specifikuar arsyen e largimit.

Shifrat e institucioneve të huaja pasqyrojnë një tablo krejt ndryshe.

Të dhënat e zyrës europiane të statistikave, EUROSTAT tregojnë se vitin e kaluar 23 mijë shqiptarë emigruan në disa nga vendet e Bashkimit Europian.

Por nuk përfshihen të dhënat e Gjermanisë, Francës, apo Greqisë, disa prej destinacioneve kryesore.

Në mënyrë plotësuese, të dhënat e Eurostat raportojnë një numër prej 21 mijë azilkërkuesish të rinj nga Shqipëria që trokasin në dyert e BE.

Përgjatë vitit 2019, Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi 4,736 viza emigracioni për shtetasit shqiptarë, numri më i lartë krahasuar me të gjitha shtetet e Europës.

Në total, duke mbledhur të dhënat e emigracionit në Europë, Shtetet e Bashkuara, si dhe numrin e azilkërkuesve, afërsisht 49 mijë shqiptarë lanë vendin vitin e kaluar.

Ndërkohë, statistikat zyrtare në Shqipëri flasin për 43 mijë të larguar. Numri i saktë i emigrantëve mund të jetë edhe më i lartë, duke përfshirë ata që nuk kanë aplikuar për azil apo për leje qëndrimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat