Dom Gjergj Meta: Është koha e urtisë

Shqipëria

Dom Gjergj Meta: Është koha e urtisë

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 18:25
Dom Gjergj Meta

Më shumë se kurrë na vyn urtia. Kjo situatë nuk përballohet ndryshe. Urtia është cilësia e atyre grave dhe burrave që nuk veprojnë me stomak, por me mend dhe zemër; që nuk veprojnë vetëm me muskuj, por me arsye dhe dashuri; që dinë të ulen rreth një tryeze e të diskutojnë bashkë për të gjetur bashkë zgjidhje, ashtu si në një familje të shëndoshë.

E dimë të gjithë e jemi të vetëdijshëm që Covidi ka rënduar situata tashmë të rënda, por pikërisht për këtë kemi nevojë të shohim pak përtej vetes, sukseseve apo dështimeve tona. Na nevojitet një shikim dhe një veprim gjithpërfshirës. I vetëm askush nuk ia del në këtë moment. As nuk është një çast që zgjidhet me inat e zemërim, por me urti dhe durim.

Mjeku ka nevojë për kolegun e tij me të cilin ndoshta ka pasur me mijëra herë përplajse profesionale apo edhe karriere, por kësaj here i duhet mendimi i kolegut, mbështetja dhe inkurajimi i tij, çdoherë që ia del e çdo herë që virusi është më i fortë se aftësia e tij, e dështon. Njerëzit kanë nevojë për njëri-tjetrin për një fjalë, një telefonatë apo një mesazh, po ashtu mësuesi për mësuesin, politikani për politikanin, pavarësisht krahëve ku bëjnë pjesë.

Të vetëm nuk do t’ia dalim dot, por do të rrëzohemi. Ndërsa bashkë edhe po u rrëzuam mund të ngriheni përsëri. Çdo minut që kalon, e ne humbim kohë me qejfmbetje apo inate, shfryrje, sharje, egoizëm, papërgjegjësi, është kohë e humbur në dëm të çdo të prekuri me Covid apo edhe me sëmundje të tjera. Nuk është koha as për lavdërime e as për anatemime, por për përkushtim, për solidaritet pa kushte, të gjithë bashkë. Sa herë ia dalim ia dalim bashkë, sa herë dështojmë dështojmë po bashkë, por jemi bashkë ama.

Urtia që na nevojitet vjen nga zemra, nga dëshira për t’ia dalë jo vetëm unë, por të gjithë bashkë, edhe ata që nuk më pëlqejnë e më kanë urryer. Urtia kërkon nga ne sot më shumë se kurrë sakrifica në emër të së ardhmes tonë të përbashkët, të njerëzve tanë të dashur, sidomos të atyre që ndër ne janë më të pamundur. Mos të kemi iluzione. Pandemia, edhe kur t’i gjendet ilaçi e të ikë nga mesi ynë si fakt biologjik apo klinik, do të lërë nga pas pasoja që do të na duhet kohë t’i metabolizojmë. Është koha të nxjerrim më të mirën nga vetja jonë, pasi kemi mundësi dhe kemi shumë mirësi brenda nesh. Ta kqyrim realitetin në sy, përpara se të mos kemi më sy për të parë apo të na errësohen nga dhimbja.

Kemi për detyrë të mbështesim njëri-tjetrin, të sëmurët, mjekët dhe infermierët, familjet që kanë humbur të afërmit, punën, biznesin; nxënësit dhe mësuesit që nuk e kanë të lehtë në këtë kaos arsimor. Askush nuk është i vetmjaftueshëm, as kush ka para shumë, as kush ka pushtet e as kush ka shëndet. Çdonjëri prej tyre, i vetëm, kolapson nën peshën e situatës. Urti duhet, urti zemre, mendje, ndjenjash.

Të adresojmë të gjitha energjitë tona kah puna e përbashkët për të mirën e të gjjthëve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat