Çfarë ndodh brenda spitaleve? Pedagogu Erlis Çela: Mungesë transparence që krijon pasiguri e panik

Shqipëria

Çfarë ndodh brenda spitaleve? Pedagogu Erlis Çela: Mungesë transparence që krijon pasiguri e panik

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 23:28
Erlis Çela

Pedagogu i Komunikimit Erlis Çela deklaroi në studion e A2 se media duhet të raportojë me korrektësi dhe duke iu përmbajtur etikës rastet e vetëvrasjes së pacientëve me Covid-19 në spitale. Sipas tij një nga problematikat është mungesa e transparencës dhe qasja e ngurtë e institucioneve publike për të informuar publikun, që lë vend për situata konfuze.

“Sa më pak të ketë transparencë aq më shumë lë vend për situata konfuze, hiperbolizime dhe raportime jo korrekte. Një nga problematikat është mungesa e transparencës dhe qasja e ngurtë që kanë zgjedhur institucionet publike për të informuar publikun. Kemi një situatë të përsëritur që media është e detyruar t’i raportojë, sepse këto lidhen me situatën e pandemisë.  Nuk mund të fajësojmë gazetarët për hiperbolizim apo detaje të ngjarjeve ndërkohë që nga pala tjetër nuk kemi komunikim e qasje të hapur për atë që po ndodh brenda spitaleve dhe jemi përpjekur t’i ofrojmë publikut me imazhe të kuruara me regji qendrore që qeveria i ka përgatitur vetë dhe nuk presim që të jetë objektive”.

Sipas Çelës institucionet publike duhet të informojnë median me detaje se çfarë ndodh brenda spitaleve me pacientët e prekur nga Covid-19, apo me këshillimin psikologjik

“Institucionet e politikëbërjes duhet të informojnë median dhe opinionin publik për detaje që publiku i kërkon. Çfarë ndodh me këshillimin psikologjik se nuk ka detaje çfarë ndodh me pacientët me Covid. Nuk mjafton vetëm një fjali që në spitale ofrohet këshillim psikologjik. Raportimi i vetëvrasjeve bëhet duke respektuar situatën dhe ndjenjën e familjes. Krahas detajeve të përgjithshme të ofrohet  informacion se ku mund të marrin ndihmë për këshillim psikologjik”.

Çela thotë se është gabim që vetëvrasjet të lidhen vetëm me faktorin Covid-19, pasi mund të ndikojnë shumë faktorë. Dhe këtu ai shprehet se media duhet të jetë më e përmbajtur.

“Vetëvrasjet janë komplekse Shpesh bëjmë gabime duke e lidhur me një faktor, pasi mund të ketë më shumë se një faktor apo një përgjegjës. Në këto raste është mirë që të jemi të përmbajtur, të respektojmë normat etike, duhet ta pranojmë që në një ekosistem mediatik, ku kemi shumë burime informacioni është e vështirë të arrihet, por media e TV serioze mund të shërbejnë si model për media më të vogla për mënyrën si duhet raportuar një vetëvrasje”.

Ai shprehet se media duhet të jetë objektive në raportin dhe nëse ka përgjegjës në rastet e vetëvrasjes duhet t’ía ofrojë publikut.

“Gazetarët e dinë ku shkon hetimi në të tilla raste sigurisht që ka një përgjegjës nëse kemi mjekim të gabuar ka autorë e përgjegjës që i duhet thënë publikut. Kjo e rrit pasigurinë te publiku por edhe parandalon gabimet në të ardhmen. Në të tilla raste ndërgjegjja profesionale dhe etika është baza nga ku nisen gazetarët. Ne si media të përpiqemi të ofrojmë modele të raportimit të objektivitetit dhe besueshmërisë. Njerëzit janë vulnerabël ndaj informacioneve të pasakta. Media edhe pse mund të jetë shpesh në sulmin e kritikave dhe akuzave, gazetarët përballen me rrezikun se janë pranë ngjarjeve. Duhet t’ia themi publikut edhe  situatën ku punojnë gazetarët. Është e lehtë të drejtosh gishtin ndaj një gazetari. Thelbi i problemit nuk janë gazetarët, por situata është shumë më komplekse.  Të kuptojnë se kush është përgjegjës për këtë situatë dhe më pas t’i kërkojmë medias raportim korrekt. Do kemi gjithënjë abuzime, por publikut duhet t’i shpjegojmë se ku ta kërkojë informacionin. Gazetarët kanë bërë një punë që është pak të thuhet heroike. Publiku është i etur për informacion ka etje për informacion se kemi situatë paniku e  pasigurie”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat