Europianët i përdorin për qejf, shqiptarët për bukë/ Eurostat: Si i shpenzojnë në Shqipëri paratë e pagës

Shqipëria

Europianët i përdorin për qejf, shqiptarët për bukë/ Eurostat: Si i shpenzojnë në Shqipëri paratë e pagës

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 15:23
Ilustrim

Shpesh dëgjon në vendin tonë të thuhet për një njeri që jeton me një farë niveli ekonomik të mirë, se ai “jeton si europian”. Dhe në fakt kjo shprehje nuk ka dalë dhe aq kot.

Konsumatorët dhe taksapaguesit shqiptarë nuk kanë faj që ëndërojnë çdo ditë standardet europiane të jetesës, pasi dallimi midis nesh dhe atyre është si “dita me natën” në shumë aspekte.

Këtë e konstaton në hulumtimet e fundit edhe Eurostat-i, të dhënat e të cilit flasin se konsumatorët shqiptarë shpenzojnë pothuajse gjysmën e parave që kanë në dispozicion, vetëm për t’u ushqyer (dhe jo ndonjë ushqyerje kush e di se çfarë…).

Sipas të dhënave të përpunuara nga INSTAT, në vitin 2019, rreth 41.1% e shpenzimeve të shqiptarëve shkuan për ushqime. Kjo peshë është më e larta në rajon dhe në

Europë, si dhe është një tregues direkt i të ardhurave të ulëta dhe i çmimeve relativisht të larta që kemi në vend.

Në ndryshim nga Shqipëria, Kosova shpenzon 34% për ushqime, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja 29%, Mali i Zi 23.5%, Serbia 23.6% (sipas Eurostat).

Dallimi i thellë me europianët

Eurostat ka publikuar së fundi të dhënat e reja për strukturën e shpenzimeve për familjarët, për vitin 2019. Ndryshe nga rajoni, familjet europiane shpenzojnë më pak për t’u ushqyer.

Për vitin 2019, kjo peshë është vetëm 13% e të ardhurave, ndonëse në rritje me 1 pikë përqindje, në krahasim me vitin e mëparshëm.

Shteti europian që shpenzon më shumë për ushqime është Rumania (26%) dhe më pak Mbretëria e Bashkuar (vetëm 8%).

Buxhetin më të madh familjet europiane e kanë për “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar”, me 23.5% të totalit, përkundrejt 10.1% në Shqipëri.

Duke shpenzuar më pak për ushqime, familjeve në Europë u mbeten më shumë të ardhura për t’u argëtuar dhe për të udhëtuar. Europianët shpenzojnë më shumë për t’u argëtuar dhe kulturë, me 8.7% të totalit, përkundrejt 3.8% në Shqipëri, edhe për transport Europa shpenzon 13% të buxhetit, ndërsa Shqipëria më pak se 6%.

Edhe për restorante raporti është 8.7% për Europën dhe 4.9% për Shqipërinë.

Shqiptarët shpenzojnë për “t’u dukur”

Edhe pse më të varfrit e kontinentit, shqiptarët gjithsesi nuk heqin dorë nga fasada. Nëse ka një shpenzim për të cilin shqiptarët nuk kursehen, ato janë veshjet, me 5.2% të totalit, përkundrejt 4.6% të mesatares europiane.

Por kjo lidhet edhe me cilësinë e dobët të veshjeve dhe këpucëve që tregtohen në Shqipëri, duke mos pasur jetëgjatësi në përdorim, në ndryshim me ato europiane që kanë cilësi, jetëgjatësi dhe komforditet.

Shteti që shpenzon më shumë për veshje në Europë është Rumania (6.8%) e totalit, i ndjekur nga Estonia (6.3%), Italia (5.9%) dhe më pak Islanda (3.3%).

Për shëndet, shpenzimet janë pothuajse të ngjashme (4.3% dhe 4.4%), ndërkohë që një vit më parë ishin shqiptarët ata që shpenzonin më shumë për shëndet (popullsi e sëmurë), por në 2019-n, kjo kategori është rritur dhe për europianët.

Arsimi u kushton shumë më shtrenjtë shqiptarëve se europianëve. Një familjeje i duhet të shpenzojë 3.1% të totalit për të arsimuar fëmijët, ndërsa për një familje europiane, kjo peshë është më pak se 1% (0.9%).

Edhe për komunikim, shqiptarët shpenzojnë më shumë me 3.7%, kundrejt 2.4% të europianëve. Shkak për këtë janë pozitat oligopol që mbajnë kompanitë celulare në treg si për çmimet ashtu dhe për shërbimet, në kurriz të konsumatorit të pambrojtur as nga shteti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat