Dashuria për fëmijën nuk jepet vetëm nga prindërit biologjikë

Shqipëria

Dashuria për fëmijën nuk jepet vetëm nga prindërit biologjikë

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 18:24
Foto ilustrim

Nganjëherë fati u sjell familjeve papritur një fëmijë, si Isaleo nga Vlora, i braktisur në kazanin e plehrave – nganjëherë tjetër çiftet duhet të adoptojnë, por dashuria nuk është më e vogël.

Në vitin 2008, Isaleo i sapolindur u gjet në një kazan plehrash.

“Isha duke mbledhur kanaçe, po vija nga Orikumi në orën 2 të natës. Ishte behar, gusht. Dëgjova që po qante dhe mendova se ishte ndonjë mace. Hapa kazanin dhe pashë një fëmijë. Mendova se do të vinte makina e plehrave dhe do ta merrte e do ta bluante. Makina vërtet erdhi më mbrapa, por unë fëmijën nuk e lashë aty, e mora me vete dhe e solla në shtëpi”, tregon Leonard Xhemali.

“Çfarë të kam sjellë moj grua, më thotë. I thashë, çfarë më ke sjellë. Tha të kam sjellë një dhuratë. Po çfarë dhurate më ke sjellë i thashë. Kur shikoj një fëmijë të vogël. Uaa. Ma paske sjellë djalin. E mora dhe e lava se ishte i pisët”, tregon Xhulieta Xhemali.

Isaleo e ka të vështirë ta tregojë këtë histori. Ai më shumë pëlqen të flet për futboll, dhe për miqtë e tij.

Pasi shteti i ndërpreu pensionin e invaliditetit, Leonardi me familjen e tij është në vështirësi financiare.

Isaleo i ka premtuar se do të kujdeset për familjen e tij kur të rritet.

“Gjyshe, unë s’do e harrojë kurrë këtë. Kur të rritem për ty do të punoj, më thotë. Jo të keqen nëna bëhu i zoti për veten tënde, i them”, tregon Qafile Xhemali.

Po sikur fati të të sjellë diçka tjetër? Boshllëku i të mos pasurit fëmijë është toksik.

“Arritëm në një moment kur trupat tanë ishin të lodhur, edhe financiarisht ishim lodhur e po ashtu edhe nervat tona ishin lodhur. Menduam që ky është momenti dhe nuk ka më kuptim të zihemi për një fëmijë, kur ka plotë fëmijë që kanë nevojë për dashurinë tonë dhe ne për dashurinë e tyre dhe vendosëm të adoptonim”, thotë Radmila Zivanoviq, nënë adoptuese dhe psikologe.

Shumë të rinj që kishin fëmijë të parë, vendosën të adoptonin të dytin.

“Ne u dashuruam me jetën sërish, u dashuruam si partnerë sërish. Ne shijuam të qenurit prind i një fëmije. Ne ishim partnerë në rritjen e saj, bashkë me të”, thotë më tej Radmila./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat