Korrupsioni, raporti i KE për Shqipërinë: Ministrat të deklarojnë pasurinë!

Shqipëria

Korrupsioni, raporti i KE për Shqipërinë: Ministrat të deklarojnë pasurinë!

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 12:16
Ilustrim

Në një raport të publikuar sot, Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO), konstaton se në Shqipëri, kuadri ligjor për parandalimin e korrupsionit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe këshilltarëve të tyre politikë dhe policia, është gjithëpërfshirës, por ende tepër kompleks.

GRECO i bën thirrje Shqipërisë të përqendrohet në zbatimin e tij efektiv, veçanërisht duke përmirësuar kapacitetin e organeve përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe përmes një qasjeje proaktive ndaj hetimeve.

"GRECO këmbëngul që çdo ministri duhet të miratojë shpejt një plan integriteti që ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët të informohen rregullisht për masat për të siguruar integritetin e tyre. GRECO shpreh dyshime në lidhje me zbatimin efektiv të Kodit Ministror të Etikës 2013 dhe funksionimin aktual të Komitetit të Etikës bashkangjitur me të. GRECO dëshiron që të hartohen dhe zbatohen rregulla të qarta pas punësimit. Kuadri i përgjithshëm që detyron të interesuarit të deklarojnë pasuritë e tyre është krijuar. Sidoqoftë, GRECO vëren se nuk ka asnjë shembull që një ministër apo një këshilltar i tij/saj të ketë qenë i detyruar të tërhiqet nga një dosje për shkak të konfliktit të interesit. Kjo hedh dyshime mbi efikasitetin e sistemit në praktikë”, – thuhet në raport.

GRECO rekomandon në veçanti që një manual që përpilon standardet dhe rregulloret e zbatueshme, t’u vihet në dispozicion personave që mbajnë poste të larta ekzekutive.

Sakaq në lidhje me verifikimin në detyrë të eksponentëve të policisë, Këshilli ka shprehur frikën e largimit të një numri të madh të personelit të kualifikuar, duke rritur rrezikun e dobësimit të Policisë së Shtetit.

“Lidhur me policinë kombëtare, GRECO ka frikë se procesi kalimtar i verifikimit do të çojë në largimin e shumë personelit të kualifikuar dhe më pas të dobësojë institucionin. Ai bën thirrje për zëvendësimin e tij me kontrolle të rregullta të integritetit gjatë karrierës së personelit të policisë, i cili vlerësohet të jetë më i drejtë dhe më efektiv.”

Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës i kanë lënë kohë deri më 30 prill të 2022 Shqipërisë për të praqitur një raport mbi masat e marra për të zbatuar këto rekomandime. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat