“Covid-19” në Gjykatën Kushtetuese, Mediu: Ndalimi i takimeve politike shkel liritë e njeriut

Shqipëria

“Covid-19” në Gjykatën Kushtetuese, Mediu: Ndalimi i takimeve politike shkel liritë e njeriut

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 14:07
Fatmir Mediu

Me argumentin se kufizimi i aktiviteteve politike është shkelje e të drejtave të njeriut, Partia Republikane ka vendosur të dërgojë vendimin e ekspertëve në Gjykatën Kushtetuese. Fatmir Mediu shprehet se nga një anë parlamentit i lejohet të funksionojë pa ndalesa, dhe nga ana tjetrë kufizohen veprimtaritë e partive në prag fushate.

Vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, për ndalimin e takimeve politike me mbi 10 persona është apeluar në Gjykatën Kushtetuese.

Nisma është marë nga Partia Republikane, pas shqyrtimit të situatës në Këshillin Politik të kësaj force.

Kryerepublikani, Fatmir Mediu, në fjalën e tij thekson se Kushtetuta nuk është shkruar për të kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Mediu: Kushtetuta është shkruar për të kufizuar autoritetin dhe abuzimin e qeverisë, dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e qytetarëve, liritë e tyre personale, liritë politike dhe liritë fetare Kushtetuta duhet t`i garantojë ato dhe në momentin e cënimit, në rastet emergjente, duhet të ketë një ndërhyrje në mënyrë proporcionale dhe ajo duhet të garantojë përsëri barazinë përballë ligjit.   Ne  shohim,standart krejt tjetër konkretisht me qeverinë, me Parlamentin, me institucionet e lidhura me qeverinë, duket qartësisht një pabarazi në aktivitetin politik të qeverisë, të instrumentave që ka qeveria, të institucioneve që ka qeveria, të pushtetit qëndror, të pushtetit lokal, të Parlamentit, në raport me opozitën dhe aktivitetin e saj politik.

Duke falenderuar mjekët që kujdesen për pacientët me Covid, Mediu theksoi se pas ndryshimit të njëanshëm të kodit zgjedhor tashmë po veprohet për të ndaluar aktivitetin politik.

Mediu: Rasti me letrën e kryetarit të Kuvendit dhe kthimi i përgjigjes nga zv/ministrja është rasti më flagrant, ku i thotë partive politike që nuk mund të bëni aktivitet politik, dhe nga ana tjetër i thotë kryetarit të Kuvendit, ju mund të zhvilloni sa herë të doni seancë, mjafton që të respektoni disa rregulla.

Pyetja është; Pse Parlamenti dhe kryetari i Parlamentit, apo deputetët, duhet të zbatojnë disa rregulla dhe qytetarët shqiptarë duhet të zbatojnë disa rregulla të tjera?

Mediu theksoi se kryetari i Parlamentit, deputetët, partitë politike dhe qytetarët përballë ligjit dhe përballë Kushtetutës janë të barabartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat