“Rruga e vdekjes” vijon të marrë jetë njerëzish, 7 aksidente brenda 1 muaji

Shqipëria

“Rruga e vdekjes” vijon të marrë jetë njerëzish, 7 aksidente brenda 1 muaji

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 16:32
Superstrada Lezhë- Milot

Superstrada Lezhë- Milot është kthyer në shqetësim serioz për qytetarët e kësaj zonë.

Kujtojmë se 5 ditë më parë një 60 vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga dy automjete. Në këtë rrugë nuk ka mbikalime dhe as ndriçim edhe pse ka shumë lëvizje.

Superstrada Lezhe-Milot është një makth për kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve.

Vetëm gjatë muajit nëntor, në këtë segment rrugor janë shkaktuar 7 aksidente me pasojë 2 viktima dhe 7 persona të plagosur. Shumica e këtyre aksidenteve ndodhin natën dhe viktima janë këmbësorë apo drejtues motoçikletash.

Përgjatë kësaj rruge ka banesa e biznese. Për të kaluar nga njëra anë në tjetrën njerëzit duhet ecin në këmbë mes për mes superstradës.

Në pika të caktuara të saj ka kryqëzime të rrezikshme dhe ndërprerje nga rruga dytësore në dyja anët e superstradës.

Pamjet tregojnë se segmenti ka intensitet lëvizjesh të këmbësorëve e mjeteve të vogla duke sjellë rritje të rrezikut për aksidente.

Specialisti i Sigurisë Rrugore Ernest Marku për Abc News përmend disa nga shkaqet e aksidenteve.

“Shpejtësia e lëvizjes së mjeteve është një shkak, sigurisht pakujdesia e këmbësoreve për të kaluar nga njeri krah i rrugës në tjetrin dhe mungesa e sinjalizuesve në mjetet e vogla janë shkaku kryesor”, shprehet ai.

Prej kohësh  superstrada Lezhë- Milot mbetet njollë e zezë në hartën e rrugore të vendit, sa i takon aksidenteve.

Për këtë arsye ajo është quajtur edhe “Rruga e vdekjes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat