Ia mbulova trupin me letra, e leva me vodka dhe i vura flakën : I riu shqiptar rrëfen vrasjen e pronarit të hotelit

Shqipëria

Ia mbulova trupin me letra, e leva me vodka dhe i vura flakën : I riu shqiptar rrëfen vrasjen e pronarit të hotelit

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 15:27
Nikos Halaris

I riu shqiptar, i akuzuar për vrasjen e pronarit të një hoteli në Santorini të Greqisë, ka treguar për mediet se çfarë ndodhi ditën e krimit. 20-vjeçari tha se Nikos Halaris i kishte 200 euro borxh për punën që shqiptari kishte bërë në kompleksin turistik.

“Shkova tek hoteli dhe i thashë që kam ardhur për paratë. Ai me shau dhe më tha të largohesha. Unë i thash sërish z.Nikos, kam ardhur vetëm për paratë dhe asgjë tjetër, por ai më qëlloi me një shishe uiski”, tregon i riu shqiptar, dëshmi të cilën e ka dhënë edhe përpara togave të zeza.

Në momentin që pronari 69-vjeçar e ka qëlluar, shqiptari ka humbur kontrollin dhe e ka sulmuar fizikisht.

“Nuk mbaj më mend çfarë ndodhi sepse e humba komplet kur me qëlloi. U përgjigja duke e qëlluar dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tregon ai.

Me paratë që fitonte, 20-vjeçari mbante familjen në Shqipëri. Ai rrinte në Greqi me sezone pasi nuk kishte dokumente.

“Unë vij dhe punoj me sezone këtu. Kam nënën dhe tre motra në shtëpi. Me punën që bëj mbaj edhe ato me para. Nuk më dha 200 eurot që duhej të më paguante prandaj ndodhi gjithçka”, ka thënë ai për “Tlive Show”.

“Unë e tërhoqa zvarrë dhe e vendosa në një hapësirë të vogël. Aty mora të gjitha letrat që gjeta dhe i vura mbi të. Kërkova për të gjetur ndonjë gjë të ndezshme dhe pastaj pashë një shishe vodka me të cilën e leva dhe i vendosa zjarrin” rrëfeu krimin ai.

Por çfarë ndodhi më pas?

Shqiptari, i qetë duke përfituar edhe nga fakti që rrugët ishin bosh dhe lëvizje nuk kishte për ta pikasur, iku në shtëpinë e një shoku të tij, ndërroi rrobat dhe shkoi për kafe sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Por diçka kishte harruar dhe u rikthyer sërish në vendin e krimit. Ai mori celularin e viktimës dhe e hodhi në det. Ndërsa të nesërmen shkoi normalisht në punë. Por kamerat e hotelit e tradhtuan dhe e zbuluan. Në momentin që policia i shkoi në shtëpi për ta arrestuar gjeti edhe këpucët që shqiptari kishte veshur në momentin që shkoi në hotel për herë të dytë, ku mori celularin e viktimës.

I riu ishte kthyer tre herë nga autoritetet greke, pasi e kishin kapur pa letra, por ai ishte rikthyer sërish për të punuar për të ndihmuar nënën dhe motrën në Shqipëri, pasi i ati i kishte vdekur disa kohë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat