‘Buxheti i 2021 në mbështetje të qytetarëve dhe shtresave në nevojë’/ Denaj: Bonus për pensionistët në fundvit

Shqipëria

‘Buxheti i 2021 në mbështetje të qytetarëve dhe shtresave në nevojë’/ Denaj: Bonus për pensionistët në fundvit

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 08:33
Anila Denaj

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj ka zbuluar gjatë një interviste për gazetën “SOT” se bonusi apo siç njihet ndryshe shpërblimi për festat e fundvitit nuk do të mungojë as këtë vit. Duke folur me detaje dhe u ndalur në shumë pika, ministrja Denaj u shpreh dje se bonusi për pensionistët nuk do të mungojë këtë vit, ndërsa theksoi se buxheti i 2021 do të jetë në mbështetje të shtresave në nevojë dhe rimëkëmbjes ekonomike. Po ashtu, zonja Denaj shtoi se buxheti i ri do të sjellë rritje pagash e pensionesh, ndërkohë që shtoi se procesi i rindërtimit po ecën me ritme të kënaqshme.

-Zonja ministre, Parlamenti miratoi pak ditë më parë buxhetin 2021. Mund të na thoni çfarë risish do ketë ky buxhet?

Ky është buxheti i rimëkëmbjes, buxheti i qytetarëve. Sa i takon buxhetit 2021, sektorët prioritarë janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura, bujqësia dhe rindërtimi. Konkretisht; Arsimi (3.8% e PBB) 64.2 mld lekë; Rritja e Pagave për Arsimtarët dhe Ndërtime dhe rikonstruksion i 155 objekteve arsimore; Shëndetësia (3.7% e PBB) 61.9 mld lekë. Rritja e Pagave për Mjekët dhe Infermierët; Investime në godina dhe kushte mjekësore Mbulimi universal me shërbim shëndetësor; Infrastruktura (2.9% e PBB) 49.3 mld lekë; Rruga e Arbrit Tuneli i Llogorasë; Avancimi i punimeve: Kardhiq – Delvinë, By – Pass Shkodër, By – Pass Tepelenë, etj; Bujqësia (0.8% e PBB) 13 mld lekë; Skema e Subvencionimit të Naftës Skema e Mbështetjes së Fermerëve dhe Investime në Infrastrukturën ujitëse dhe kulluese; Rindërtimi (1.72% e PBB) 28 mld lekë; 3470 banesa individuale; 4646 banesa kolektive; 155 objekte arsimore dhe Infrastruktura Mbështetëse për Objektet e Rindërtuara.

-Buxheti vjen me rritje edhe pse jemi në një situatë të vështirë, ndërkohë opozita ju akuzon për një buxhet jo real. Keni një përgjigje?

Ky është një buxhet realist, buxhet për qytetarët ku parashikojmë rritje në masën 5.5% për vitin 2021. Duhet të theksoj se kjo rritje vjen edhe ne vazhdën e mirë-administrimit dhe politikave të duhura fiskale sikurse është procesi i fiskalizimit që do sjellë rritje të formalizimit në ekonomi dhe kontroll dhe monitorim më efecient të mbledhjes së të ardhurave buxhetore.

-Buxheti parashikon rritje pagash për mjekët, mësuesit, por dhe indeksim pensioni. Opozita ju akuzon se kjo bëhet për efekt elektoral. Si është e vërteta?

Së pari, duhet të rikujtojmë që nuk është hera e parë që ne rrisim pagat. Nga viti 2013, pagat e administratës janë rritur mesatarisht me 23%. Ndërkohë që, kur flasim për dy shtylla qendrore të shërbimit ndaj qytetarëve siç janë mjekët dhe arsimtarët, që ky vit i pazakontë i ka vendosur në sprovë dhe në kushte jonormale, absolutisht qeveria jonë nuk kishte sesi te mos reagonte me mbështetje maksimale kundrejt tyre.

-Çfarë pasojash pati pandemia në punësim?

Lajm i mirë është se situata e vështirë që krijoi mbyllja e ekonomisë është duke parë një përmirësim sepse në muajin Shtator arritëm të kapim nivelet e punësimit të para pandemisë. Për të stimuluar punësimin kemi lançuar programet e nxitjes së punësimit, si një ndihmë tjetër direkt për sipërmarrësit që të kenë mundësitë të ripunësojnë punonjësit e tyre sikurse dhe paketa ndihmese për bizneset që të rikuperojnë ritmet e zhvillimit të mëtejshëm të aktiviteteve të tyre respektive.

-FMN, BB, BERZH kanë shifra të ndryshme sa i takon rimëkëmbjes. Sipas planeve tuaja, kur do fillojë ekonomia ta marrë veten?

Konteksti i definicionit “parashikim” nënkupton që të kemi shifra të përafërta, por jo domosdoshmërish të njëjta sepse ndryshe nuk do kishte kuptim që vijnë apo punohen nga burime të ndryshme sikurse ju citoni dhe Parashikimi ynë përafron me shifrat e këtyre institucioneve, me një pritshmëri prej 5.5% rritje ekonomike vitin e ardhshëm. Gjithashtu ne kemi parashikuar një rritje me 10% të të ardhurave për vitin tjetër falë miradministrimit dhe reformës fiskale. Borxhi publik, i cili u rrit përgjatë këtij viti për shkak të dy tronditjeve që pësoi ekonomia e vendit, siç ishin tërmeti dhe pandemia, në të gjitha parashikimet tona dhe të raporteve të ndërkombëtarëve e sheh veten në një trajektore rënëse, duke nisur që prej vitit të ardhshëm, për të prekur nivelet e para pandemisë brenda një periudhe afatmesme. Buxheti i 2021 që kemi miratuar është i gjithi në mbështetje të shtresave në nevojë dhe rimëkëmbjes ekonomike. Vetëm procesi i rindërtimit do të punësoje mbi 20 mijë punonjës të rinj.

-Disa shtete të BE, por dhe në rajon kanë pasur disa paketa mbështetëse për bizneset. Qeveria po mendon për ndonjë paketë të re?

Qeveria ka qenë dhe është në mbështetje të biznesit në gjithë situatën e pandemisë. Për shkak të pasojave që shkaktoi pandemia e Covid-19 qeveria shqiptare ndërmori një sërë masash fiskale lehtësuese të cilat synonin: Mbështetjen e sipërmarrjeve në lidhje me Cash Floë-n që u nevojitej në këtë situatë krizë, nëpërmjet mospagimit të detyrimeve të tatimit mbi fitimin dhe shtyrjes së afatit për sipërmarrjet e goditura nga kriza si industria fason, industria e turizmit, call center dhe suportin e kompanive me kredi të garantuara nga shteti. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, Qeveria e Republikës së Shqipërisë emetoi dy Garanci Shtetërore, në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Për të mbështetur tregtarët dhe shoqëritë tregtare me likuiditet, Qeveria e Republikës së Shqipërisë emetoi Garancinë Shtetërore në shumën prej 11.0 miliardë Lekë (afërsisht 100 milionë dollarë amerikanë), për kompanitë që kanë vështirësi në pagimin e pagave të punonjësve. Shpenzimet e interesit mbulohen plotësisht nga qeveria dhe nuk kërkohet asnjë kolaterale nga kompanitë. Kredia shërbeu për të mbuluar pagat e punonjësve për një periudhë 3-mujore, duke mos kaluar një pagë mujore prej 150,000 lekë për punëtor. Përveç Garancisë së Parë, Qeveria e Republikës së Shqipërisë emetoi një Garanci Shtetërore të dytë, në shumën prej 15.0 miliardë lekësh (rreth 136 milionë USD), duke siguruar hua për kapital qarkullues dhe investime për të gjithë sektorët e ekonomisë. Qeveria garantoi 60% të principalit dhe vlera maksimale e kredisë për kompani nuk mund të kalojë 300 milionë lekë. Periudha pa shlyerje principali (Grace) është 6 muaj, dhe kredia pritet të shlyhet për një periudhë 5-vjeçare. Gjithsej nga qeveria u akorduan 26 miliardë Lekë në formën e garancive. Nga këto garanci kanë përfituar tregtarët apo shoqëritë tregtare që funksionojnë në sektorët e tregtisë, prodhimit, transportit, shërbimeve etj.

 -A ekziston si skenar një mbyllje e dytë nëse kemi rritje të të sëmurëve me Covid-19 dhe nëse po, a do sillte kjo një tërmet në ekonomi?

Kjo varet nga të gjithë ne. Është jetësore, si për shëndetin, ashtu edhe për ekonominë që të respektojmë rregullat dhe masat mbrojtëse. Si të gjithë vendet e tjera, hapat e ndërmarra nga qeveria për menaxhimin e situatës vijnë si pasojë e rekomandimeve të forta të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Natyrisht që shëndeti vjen në radhë të parë, por ndryshe nga situata e muajit mars kur pandemia ishte diçka e papritur, rrugës janë marrë masa për përballimin e situatës, si në aspektin e shëndetit të qytetarëve, por edhe në funksion të mbështetjes së bizneseve, duke u krijuar lehtësira fiskale. Buxheti i vitit 2021 është buxheti i një viti dalje nga kriza dhe nuk parashikojmë një mbyllje totale të ekonomisë, për aq kohë sa kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i bërë ballë kësaj krize. Në çdo rast qeveria ka një plan për ndërhyrjet financiare që duhet të ndërmarrin në rast të përkeqësimit të situatës përtej parashikimeve. Për momentin, Komiteti Teknik i Eksperteve e sheh si rrugëzgjidhjen e fundit mbylljen e plotë.

-Një tjetër proces është ai i rindërtimit. Si po ecën puna? Kur pritet të rehabilitohen të gjitha familjet?

Procesi i rindërtimit është një projekt gjigant që nuk parashikon vetëm ndërtimin e disa shtëpive të rrënuara, por të gjithë infrastrukturës dhe shërbimeve që nevojiten. Janë 155 shkolla të reja, 3470 banesa individuale, dhe 4646 banesa kolektive kantieret e të cilave janë të hapura. Kemi parashikuar një buxhet prej 600 milionë $ të ndarë në tri vite.

-Edhe në këtë rast opozita ka akuzuar se shumë familje janë në çadra apo jetojnë në banesat e rrënuara. A janë ndihmuar të gjitha familjet?

E vërteta është se ka akoma familje që për nevojat e tyre që lidhen me kujdesen e bagëtive apo qëndrimi pranë tokës, nuk janë larguar nga çadrat edhe pse përfitojnë bonusin e qirasë. Qeveria i është gjendur pranë secilës familje në nevojë.

-Meqë po afrojnë festat e fundvitit, a ka menduar qeveria këtë vit shpërblim për pensionistët dhe familjet në nevojë?

Patjetër që po! Është një vit ku prioritet janë shtresat në nevojë dhe pensionistët sigurisht që janë të parët. Bonusi për pensionistët nuk do të mungojë as këtë fundvit dhe aktualisht jemi duke llogaritur vlerën ku me aktin e ri normativ do ta bëjmë atë realitet.

-Zonja ministre, një ligj që erdhi me shumë bujë ishte ai i amnistisë fiskale dhe penale. Pse është bllokuar ligji?

Nisma ligjore nuk është bllokuar, por aktualisht është në proces, në komisionet parlamentare.

-Ju pak ditë më parë sapo u shëruat nga Covid-19. Si e përballuat këtë virus?

Na duhet të vetëdijesohemi që kjo lloj sëmundje nuk kursen askënd dhe duhet marrë me seriozitetin maksimal. Fatmirësisht simptomat ishin të lehta dhe pa komplikacione, ku ndjekja me rigorozitet e këshillave të mjekut të familjes ishte thelbësore. Gjej rastin të falënderoj të gjithë mjekët që janë duke ndenjur ditë dhe natë për të na dhënë shërbimin e tyre të vyer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat