Në pak ditë dy familje humbin dy jetë dhe policia dy efektivë

Shqipëria

Në pak ditë dy familje humbin dy jetë dhe policia dy efektivë

Nga: Jak Simoni Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 16:29
Foto ilustrim

Dy ngjarje që ndodhen ditët e fundit, njëra në Gajush të Lezhës dhe tjetra në Tiranë, duken se nuk kanë lidhje, përjashto dhimbjen e madhe të familjarëve, të afërmve të tyre dhe jo vetëm, por një lidhje e kanë. Në të dy rastet del në pah mungesa e profesionalizmit të këtyre efektivëve të rinj, njëri prej të cilëve humbi jetën dhe tjetri lirinë, të paktën për momentin, qetësinë shpirtërore dhe karrierën në strukturat e forcave të rendit; humbje këto që, gjithsesi nuk krahasohen me humbjen e jetës.

Këto tragjedi le të bëhen mësim për të ardhmen dhe mos të shfrytëzohen nga mediat, disa prej të cilave nuk hezituan as dhe një moment për të nxjerrë emrat apo inicialet, dhe si zakonisht nga forcat politike. Reagimi nga të gjitha anët e vendit duket sikur ua lehtëson sadopak dhimbjen familjarëve dhe të afërmve, sepse siç thuhet një dhimbje e ndarë përgjysmohet; gjithashtu, kur ka solidaritet aq të madh me ta, u krijon atyre besimin se do të ketë drejtësi. Por, nga ana tjetër, kalimi në dhunë nuk bën gjë tjetër, veçse shton dhimbje të tjera.

Siç u tha më sipër, të dy këto raste, sidomos i dyti, ishin nga mungesa e profesionalizmit. Në këtë rast profesionalizmi varet nga niveli shkollës së policisë (Akademisë), trajnimet e vazhdueshme dhe nga eksperienca. Nuk mund të ketë të njëjtën mënyrë instruktimi për punonjësin e policisë si për veprimet e duhura në 12 të ditës, ashtu dhe për veprimet në 12 të natës. Të dy efektivët konsumuan dramën e tyre në mes të natës, thuajse në të njëjtën orë, njeri duke renë në grackë (siç thuhet, ndoshta dhe për shkak të detyrës) e duke e pësuar mbi trupin e tij e tjetri duke e shkaktuar mbi trupin e një të riu tjetër. Trajnimet e efektivëve të policisë nuk kanë pse kufizohen vetëm për mënyrën e kryerjes së shërbimit, por dhe për mënyrën e sjelljes dhe jashtë shërbimit, që ndoshta do t’i kishte shpëtuar jetën efektivit në Lezhë.

Nuk di si ishte në rastin e Tiranës, por një patrullë policie nuk ka pse te ketë dy të rinj (të paktën njeri duhet të ketë eksperiencë). Nuk po zgjatem më, sepse pasi ndodh rreziku është shumë e lehtë për të gjetur mënyrat e evitimit, por në këto kushte e vetmja gjë që mund të bëhet është të nxirret mësim për herët tjera, ndonëse nuk mund të paraqiten kurrë në të njëjtën mënyrë. Shpresoj që trajnimet në polici mos të jenë të kufizuara në promovimin e industrinë që paraprinë finalizimin me certifikata të lustruara, siç ndodh në shumë institucione të tjera.

Ajo që kemi nevojë është një polici e mirë trajnuar që të shfrytëzojë eksperiencën pozitive të së shkuarës dhe të vendeve të tjera, eksperiencë të cilën teknologjia ia lejon. Megjithatë, nuk mund të mos përmendim faktin se policia ka paguar çmimin më të lartë të jetëve duke ruajtur rendin dhe institucione shpeshherë të korruptuara. A nuk është paradoksale të rrezikosh jetën përballë veprimeve kriminale për t’i siguruar ‘mall të çmuar’ gjyqtarëve të korruptuar, të cilët e kthejnë përsëri këtë ‘mall’ në xhiron fitimprurëse për ta e vdekjeprurëse për shoqërinë shqiptare. Shpresojmë që të zbardhen tërësisht të dy rastet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat