Protesta/ 59 të arrestuar dhe 116 të proceduar në Tiranë

Shqipëria

Protesta/ 59 të arrestuar dhe 116 të proceduar në Tiranë

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 12:54
Protesta

Policia e Tiranës ka arrestuar 59 persona pas protestës së djeshme në disa zona të kryeqytetit, ndërsa janë proceduar penalisht 116 të tjerë.

Sipas policisë ata akuzohen për organizim, grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, prishje të pronës, dhunë ndaj punonjësit e Policisë.

“Shërbimet e Policisë kanë përdorur të gjitha mjetet e ligjshme për të neutralizuar personat e dhunshëm të cilët bënin thirrje për grumbullime dhe nxisin turmat për të dhunuar punonjësit e Policisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Të arrestuarit dhe të proceduarit penalisht akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.

Ndërkohë, policia vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjetër të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme.

Në fund Policia e Shtetit i kujton protestuesve edhe pandeminë Covid-19:

“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji.

Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat