Kush do të jetë profili i ministrit të Brendshëm, dikasteri që ka ndërruar më shumë drejtues prej vitit ‘97

Shqipëria

Kush do të jetë profili i ministrit të Brendshëm, dikasteri që ka ndërruar më shumë drejtues prej vitit ‘97

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 10:44
Ministri e Brendshme

Pas trazirave të fundit të krijuara si pasojë e vrasjes së Klodian Rashës nga një polic, ministri i Brendshëm Sander Lleshaj dha dorëheqjen. Si pasojë vendi i ministrit të Brendshëm është pa një emër dhe aludimet se kush do të vijë në atë post kanë nisur që në momentin e largimit të Lleshaj.

Paralelisht me zhvillimet e fundit në vend, kryeministri Edi Rama ka nisur negociatat për emrin e ministrit të ri të Brendshëm, detyra e të cilit (apo së cilës) nuk do të jetë aspak e lehte nisur nga një situatë e ndezur në Tiranë (dhe disa rrethe) kryesisht nga të rinj në moshë, qëndrimi që do të mbajë Ilir Meta (nëse do ta dekretojë ose jo) dhe zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në Prill.

Ministria e Brendshme është dikasteri i vetëm nga ku kane qarkulluar mjaft emra kryesisht figura politike si nga të majtë ashtu edhe të djathtë, me raste përjashtimore si ajo Dritan Demirajt dhe Sandër Lleshajt.

Ajo është konsideruar si “prova” kryesore politike, për çdo politikan në krye të asaj ministrie, që nisur nga eksperienca e deritashme, (’97-2020) ka rezultuar se askush nuk ia ka dalë.   

Më jetëgjati ndër vite si ministër, nëse do t’i hedhim një sy drejtimit të këtij dikasteri që prej vitit ’97, është Saimir Tahiri me katër vjet ministër…

Për të diskutuar rreth rolit të Ministrit të Brendshëm dhe rëndësisë që ajo mori ia vlen ta nisim nga viti i mbrapshte ’97.

1997-2005 Ministrat e Brendshëm të PS

Në Korriku i vitit ‘97 stafetën e merr Neritan Ceka për ta dorëzuar në prill të një viti më vonë tek Perikli Teta vetëm disa muaj. E  vijon Petro Koçi nga tetori ‘98 deri në Maj të një viti më vonë, pasuar me Spartak Poçin edhe ai do muaj, për të kaluar tek Ilir Gjoni që qëndron më shumë sesa paraardhësit, nga nëntori 2000 deri në janar të 2002-it dhe për 6 muaj të tjerë nga shkurti në korrik të atij viti, Stefan Çipa.

Rokadat e njëri tjetrit (në kohë të shkurtra) kanë ardhur për shkak të situatës në vend me krimin, bandat e ’97-ës por edhe luftës brenda PS-së, konkretisht përplasjet me tre ish-kryeministrat socialistë, Nanon, Metën dhe Majkon.

Ka pasur edhe ndonjë rast përjashtimor si ai i ish-ministrit të Brendshëm, Luan Rama, (drejtues për gjashtë muaj) që u detyrua të largohej mbas protestës së gazetarëve lidhur me një incident të krijuar mes tij dhe një gazetari.

Pas tij, në krye të ministrisë vjen Igli Toska që qëndron për dy vjet deri në fitoren e PD.   

2005-2013 Ministrat e Brendshëm të PD  

Në vitin 2005 vjen PD-ja në pushtet me ministër të Brendshëm, Sokol Olldashi, për dy vite. Një periudhë që për shumëkend është cilësuar si koha më e mirë e PD-së në drejtimin e ministrisë së Brendshme kur ndërmerren  aksione konkrete në luftën ndaj krimit të organizuar dhe disa bandave të njohura në vend.

I ndjeri Sokol Olldashi jep dorëheqjen pas dy vitesh sepse garon pa sukses për postin e kryebashkiakut të Tiranës.  Pas tij, e merr stafetën Bujar Nishani nga marsi 2007 deri në shtator 2009, për të vijuar me Lulzim Bashën edhe ky i fundit thuajse dy vjet në këtë detyrë. Koha më e vështirë për Lulzim Bashën si ministër kur vihet edhe nën akuzë nga PS-ja për ngjarjet e 21 Janarit ku mbeten të vrarë katër qytetarë.

Pa ndonjë sukses të madh në këtë dikaster, Lulzim Bashës i besohet gara për Bashkinë e Tiranës. Në vend të tij emërohet  Flamur Noka edhe ky i fundit i shumë akuzuar nga PS-ja për emërime nepotike, drejtim politik të dikasterit dhe luftë jodomethënëse ndaj krimit.

2013-2020, Ministrat e Brendshëm të PS

Vjen PS-ja në pushtet (zgjedhjet e 2013-ës) me Saimir Tahirin, Ministër i Brendshëm për katër vite rresht. Kjo është periudha kur fillimisht shënjohen disa rezultate konkrete kundër trafikimit të drogës, për herë të parë ndërhyhet suksesshëm në Lazarat, dhe po për ironinë e fatit, Saimir Tahiri largohet nga ajo detyrë jo vetëm si i akuzuar (ku çështja e tij vijon të endet nëpër gjykata), por edhe për përceptimin më të madh të krijuar ndonjëherë në periudha të ndryshme të vendit, se gjatë dy viteve të fundit të drejtimit të tij si Ministër i Brendshëm, Shqipëria u kanabizua thuajse në gjithë vendin.

Pas shumë polemikash për dorëheqjen e tij dhe marrëdhëniet e ndera të krijuara me PS-në duke hequr dore nga mandati i deputetit dhe duke u larguar edhe nga drejtimi i PS-së së Tiranës, në krye të ministrisë së Brendshme vjen  Fatmir Xhafaj, vetëm për disa muaj, për t’ia lënë përkohësisht vendin Dritan Demirajt si pasojë e marrëveshjes së 17 Majit mes Ramës dhe Bashës.

Me fitoren e PS, rimerr detyrën Fatmir Xhafaj një kohe e trazuar për të pas akuzave të ngritura nga PD-ja dhe çështjes së njohur ndryshe si çështja “Babale”, rreth vëllait të tij. Deri në  nëntor të vitit 2018, Fatmir Xhafaj arrin tu bëjë ballë presioneve politike, shpërfaq një figurë të besueshme tek ndërkombëtarët dhe flet për herë të parë me emra konkret bandash, bastionet e tyre dhe aksione konkrete. Ai nuk mundi t’i bëjë ballë presionit të shumëanshëm (që u intensifikua nga PD edhe me protesta) duke dhënë publikisht një dorëheqje emocionale dhe të gjatë përmes një konference për shtyp.

Nga ajo periudhë e deri para pak ditësh në krye të Ministrisë së Brendshme, ishte Sandër Lleshaj një figurë me profil krejt tjetër nga ajo e paraardhësve. Edhe ky i fundit e cilësoi si periudhën më të vështire të jetës së tij profesionale, një drejtim që nuk shënjoi arritje domethënëse, me periudha të caktuara herë të ftohta e herë pezull me kryeministrin Rama ku më së shumti qarkulluan thashethemet se ai nuk do të qëndronte gjatë në krye të asaj ministrie, e deri tek protesta e fundit e të rinjve e iniciuar kryesisht në rrjetet sociale që shënjoi edhe fundin e drejtimit të tij në këtë dikaster.

Sandër Lleshaj u largua nga ajo detyrë, pa ditur ende se cila do të jetë e ardhmja e tij në politike apo diku tjetër, por duke shënuar edhe një precedent se në krye të kësaj ministrie nuk mund të ketë sukses as një profil ndryshe apolitik

Të shohim se cili do të jetë profili i ri i Ministrit të Brendshëm, ku nisur nga eksperienca e deritashme, kushdo do të vijë do ta ketë të vështirë të drejtojë  afatgjatë në atë detyrë, për shkak të vetë rëndësisë që mbart ai institucion, sfidave që përmenden çdo raport nga ndërkombëtarët për luftën ndaj krimit, trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore si dhe ndërhyrjes dhe presionit të madh politik që e ka shoqëruar prej vitesh “dhunshëm” këtë dikaster.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat