Ish-ministri Dritan Demiraj: Policia e politizuar rrezikon seriozisht zgjedhjet e ardhshme

Shqipëria

Ish-ministri Dritan Demiraj: Policia e politizuar rrezikon seriozisht zgjedhjet e ardhshme

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 23:34
Dritan Demiraj

Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ngre shqetësimin se politizimi i policisë dhe mungesa e një qasje të qeverisë për ta depolitizuar atë mund të rrezikojnë seriozisht zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në një intervistë për Euronews Albania, ish-ministri Demiraj u shpreh skeptik për mundësitë dhe aftësitë e policisë së shtetit për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2021.

“Fatkeqësisht unë nuk e di se si do të shkohet në zgjedhje me këtë polici, e cila është militante, dhe jo për sa i përket sasisë së efektivëve poshtë, por për sa i përket lidershipit, është e papranueshme që po shkojmë drejt vitit 2021 dhe që një pjesë e madhe e drejtuesve të policisë janë njerëz që kanë mbaruar shkollën e sigurimit [Sigurimit të Shtetit], janë njerëz që kanë qëndruar dhjetë apo pesëmbëdhjetë vite të paangazhuar në policim, pra në zanat,” – u shpreh ish-ministri Demiraj.

Sipas ish-ministrit, i cili është specialist i forcave të sigurisë dhe forcave ushtarake, në rast se qeveria nuk do të reflektojë për të përmirësuar situatën në polici atëherë zgjedhjet e ardhshme mund të rrezikohen.

“Gjykoj se zgjedhjet do të rrezikohen ndjeshëm nga një polici që drejtohet nga militantë,” – këmbënguli Demiraj.

Gjatë intervistës me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania, Demiraj komentoi edhe protestat e fundit pas ngjarjes ku u vra Klodian Rasha nga një punonjës i policisë. Ai ngriti pretendimet e rënda se një pjesë e policëve janë përdorues droge dhe se për këtë ministri i ardhshëm duhet t’i largojë duke futur testin e drogës për efektivët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat