Presidenti Meta pro shpalljes së luginës së Vjosës ‘Park Kombëtar’

Shqipëria

Presidenti Meta pro shpalljes së luginës së Vjosës ‘Park Kombëtar’

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 18:36
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një postim në facebook ka dalë pro faktit që lugina e lumit Vjosa të shpallet “Park Kombëtar”.

Sipas Kreu të Shtetit, pavarësisht deklaratave publike të Kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë, situata në realitet po shkon në drejtim të kundërt. Meta thekson se vetëm për pjesën e sipërme të Vjosës është planifikuar shpallja e zonës si kategori “Peizazh i Mbrojtur”, ndërsa në rrjedhën e mesme dhe të poshtme nuk është parashikuar asnjë status mbrojtjeje.

Po ashtu Presidenti i bën thirrje Qeverisë “për të dëgjuar zërin e komunitetit, të shoqërisë civile, aktivistëve të mjedisit, të botës akademike, universitare dhe personaliteteve shqiptare e të BE-së, për t’u tërhequr nga çdo projekt që parashikon ndërtim të HEC-eve mbi lumin Vjosa”.

Postimi i plotë

Mbështes plotësisht deklaratën e përbashkët të “EcoAlbania”, “Riverëatch” dhe “EuroNatur”, si dhe të grupeve të shkencëtarëve e ambientalisëve, vendas e të huaj, për shpalljen Park Kombëtar të të gjithë luginës së lumit Vjosa.

Ndaj të njëjtin shqetësim, se përkundër deklaratave publike të Kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë, situata në realitet po shkon në drejtim të kundërt, pasi vetëm për pjesën e sipërme të Vjosës është planifikuar shpallja e zonës si kategori “Peizazh i Mbrojtur”, ndërsa në rrjedhën e mesme dhe të poshtme nuk është parashikuar asnjë status mbrojtjeje.

Ky plan jo vetëm që përjashton pjesët më me vlerë të sistemit lumor, por gjithashtu do ta linte të pambrojtur zonën në të cilën parashikohen digat e Kalivaçit dhe Poçemit.

Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë, për të dëgjuar zërin e komunitetit, të shoqërisë civile, aktivistëve të mjedisit, të botës akademike, universitare dhe personaliteteve shqiptare e të BE-së, për t’u tërhequr nga çdo projekt që parashikon ndërtim të HEC-eve mbi lumin Vjosa.

Duke e falënderuar sërish Presidenten në Detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani për solidarizimin me këtë kauzë, shpreh vullnetin për të vijuar të gjithë së bashku përpjekjet tona për të mos lejuar, me mjete demokratike, çdo vendimmarrje politike në kundërshtim me interesin publik, që synon shkatërrimin e kësaj parajse natyrore dhe njerëzore, si lumi Vjosa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat