S’ka procedim për policët dhunues gjatë protestave

Shqipëria

S’ka procedim për policët dhunues gjatë protestave

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 16:18
Protesta

Akuzat e shoqërisë civile por dhe të institucioneve ndërkombëtare si Këshilli i Europës dhe OSBE për dhunën ndaj gazetarëve dhe arrestimin e të miturve gjatë protestave në Tiranë kanë mbetur pa përgjigje.

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha solli protesta dhe përplasje mes qytetarëve dhe policisë. Këta të fundit gjatë shoqërimit të qytetarëve protestues dhe jo protestues tejkaluan kompetencat duke ushtruar dhunë. Autoritetet ligj-zbatuese ende nuk kanë nisur hetime ndaj efektivëve të policisë të uniformuar dhe civilë të cilët kryen veprime të dhunshme në protesta

Zyrtarisht policia e shtetit, SHCBA dhe avokati i popullit nuk prononcohen për nisjen e hetimeve, të cilat janë ndaluar në fazën e verifikimeve në terren të kryera nga institucioni i avokatit të popullit.

Këta të fundit në inspektimet e kryera janë fokusuar tek cështja e të miturve të cilët janë shoqëruar nga policia, mbipopullimi i komisariateve por jo dhuna e ushtruar nga efektivët.

Pas çdo proteste Policia e Shtetit, krahas arrestimit të protestuesve, kanë nisur hetime edhe për punonjësit e policisë, por këtë herë institucionet heshtin.

Pas protestave masive të mbajtura nga opozita e bashkuar, blutë kanë dhënë masa disiplinore, vërejtje, apo dhe deri në paralajmërime për largime nga puna për efektivët që kanë tejkaluar kompetencat gjatë demonstratave.

Gjatë 5 protestave të dhjetorit efektivët kryen veprime të dhunshme  ndaj të miturve, protestuesve dhe jo protestuesve apo dhe punonjësve të medias të cilët ishin pjesë e demonstratave për të përcjellë zhvillimet në kohë reale.

Hetime kanë nisur vetëm nga institucioni i prokurorisë së Tiranës, pas denoncimeve të kryera nga gazetarët për dhunën e ushtruar ndaj tyre nga punonjës civilë  të policisë të angazhuar gjatë protestave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat