Askush nuk mund të dënohet për idetë e tij, gjykata pushon çështjen ndaj Xhuljana Aliaj

Shqipëria

Askush nuk mund të dënohet për idetë e tij, gjykata pushon çështjen ndaj Xhuljana Aliaj

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 16:44
Xhuljana Aliaj

Xhuljana Aliaj, banore në zonën e Porto-Romanos në Durrës u arrestua nga Policia e Shtetit  mbrëmjen e 28 nëntorit 2019 me akuzën e përhapjes së panikut përmes publikimit të një statusi në Facebook.

26-vjeçarja po punonte si vullnetare në zonën e Porto-Romanos për regjistrimin e personave të mbetur pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa shkroi në faqen e saj në Facebook se hidrovori në këtë zonë ishte dëmtuar dhe një tërmet tjetër mund të sillte pasoja dhe shpërthim të depozitave të gazit.

Aliaj qëndroi tre ditë në qeli dhe 11 muaj nën procedim, pasi Policia e Shtetit e akuzoi se kishte përhapur panik dhe i kishte detyruar njerëzit të largoheshin nga Porto-Romano, ndonëse statusi i saj mori në total vetëm 26 reagime.

Por më 29 tetor 2020, Gjykata e Durrësit e pushoi procedimin penal me argumentin se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtarja Besjana Garxenaj, të cilin BIRN e disponon, Xhuljana Aliaj kishte kërkuar informacion nga autoritetet shtetërore për situatën, por nuk kishte mundur të gjente të dhëna për gjendjen e hidrovorit apo të depozitave të naftës.

Gjykata argumenton se 26-vjeçarja nuk ka pasur për qëllim përhapjen e panikut.

“…nuk ka dashur dhe nuk ka pasur për qëllim përhapjen e panikut tek qytetarët, por ajo ka njoftuar një perceptim të gabuar të saj, e ndodhur vetë në situatë paniku, frikë e pasiguri për shkak të tërmetit,” arsyeton gjyqtarja Garxenaj.

Duke iu referuar historisë së 26-vjeçares, gjyqtarja Besjana Garxenaj arsyeton gjithashtu se “askush nuk mund të dënohet për mendimet apo idetë e tij”.

Xhuljana Aliaj i tha BIRN se ishte e lumtur nga vendimi i Gjykatës.

“Jam e lumtur që edhe gjykata e pohoi që qëllimi im ka qenë pozitiv,” tha ajo.

Xhuljana Aliaj është vetëm një nga qytetarët e përndjekur nga Policia gjatë periudhës së pasoi tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe vazhdoi me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19.

Përmes nenit 267 të Kodit Penal: “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, Policia e Shtetit ka kërkuar ndjekje penale për një duzinë qytetarësh dhe gazetarësh, duke alarmuar organizatat e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

Kjo tendencë u rikthye ditët e fundit, kur Policia e Durrësit njoftoi arrestimin e 2 të rinjve dhe procedimin penal për 2 të tjerë për protestë të paligjshme dhe përhapje paniku, pasi protestuan simbolikisht në qendër të qytetit duke lëvizur me një arkivol mbi të cilin shkruhej “Shpresa” dhe “Drejtësia për Klodianin”.

Gjykata e Durrësit i cilësoi të kundraligjshme arrestimet e dy protestuesve, ndërkohë akuza tjetër e përhapjes së panikut nuk u mbështet në gjyq as nga prokurorja e çështjes. Avokatja mbrojtëse e dy të rinjve i tha BIRN se kjo akuzë ishte ngritur mbi pretendimet e policisë se ishte trembur nga arkivoli i sajuar me mbishkrime proteste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat