Përgjysmohet numri i turistëve/ Në 11 muaj 2.4 mln turistë, nga 6.1 që u raportuan në 2019

Shqipëria

Përgjysmohet numri i turistëve/ Në 11 muaj 2.4 mln turistë, nga 6.1 që u raportuan në 2019

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 16:22
Ilustrim

Pandemia ka futur në kolaps sektorin e turizmit në vend ndësa shifrat tregojnë se numri i turistëve që vizituan Shqipërinë gjatë 11 muajve të parë të këtij viti nuk përbën as gjysmën e atyre të vitit të kaluar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se deri më tani, rreth 2.4 milionë turistë kanë hyrë në territorin shqiptar, nga 6.1 milionë që na vizituan në 2019-ën.

Kufizimi i lëvizjeve dhe mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë ka krijuar një situatë dramatike për turizmin ku numri i turistëve është përgjysmuar gjatë këtij viti.

Thënë më konkretisht, në 11 muajt e parë Shqipërinë e kanë vizituar 2.4 milionë persona, një rënie dërrmuese në raport me 2019-ën, kur kishim mbi 6 milionë turistë. Në përqindje, zbritja qëndron në masën 59.5%.

Pavarësisht uljes së konsiderueshme, vendi ynë mbetet një destinacion i preferuar nga shqiptarët e Kosovës, ku 1.3 milionë prej tyre raportohet të kenë kaluar kufirin.

Edhe pse inkurajuese, shifra është reduktuar me 40.4% në raport me vitin që lamë pas.

Tkurrja më e ndjeshme është shënuar nga turistët spanjollë me 90.7%.

Në 11 mujorin e 2019-s rezultonin 28 mijë e 167 hyrje nga Spanja ndërsa këtë vit numri ka rënë në 2 mijë e 613.

Pandemia ka patur edhe një efekt të anasjelltë për turistët shqiptarë që udhëtojnë jashtë vendit.

Bllokimi i kufijve ka sjellë një ulje të ndjeshme me rreth 53.5% të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë dalë nga territori jonë krahasuar me të njëjtën periudhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat