Pas kufizimeve, a rrezikojmë një mbyllje totale? Mjekët përgjigjen në Euronews Albania

Shqipëria

Pas kufizimeve, a rrezikojmë një mbyllje totale? Mjekët përgjigjen në Euronews Albania

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 21:54
Shqipëri

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj tha se masat  kufizuese të ndërmarra në prag të festave mund të hiqen në fillim të vitit 2021, por kjo gjë shtoi ai, do të varet nga ecuria e pandemisë.

Këtë deklaratë mjeku Brataj e bëri në studion e Euronews Albania, përballë gazetares Ilva Tare.

“Nëse do të ketë një gjendje të qëndrueshme, do të hiqen këto qe u vendosën dhe do të vazhdojnë siç kanë qenë”, tha ai.

Mjeku epidemiolog Ilir Alihehmeti, u shpreh se në këto kushte, ku vihet re një ulje e rasteve të të infektuarve vendi nuk rrezikon një mbyllje të dytë. Ai shtoi se nuk ka asnjë arsye të shkohet drejt skenarit të ri-mbylljes, pasi një pjesë e madhe e qytetarëve tashmë e kanë kaluar Covid-19

“Jo do të thoja që jo, nuk ka arsye për këtë. Ne po shohim se shifrat janë në ulje dhe këto masa që u shtuan, në këndvështrim tim është për t’i dalë para periudhës festave,  se mos ndodh ndonjë çudi. Nuk është se po pritet ndonjë diskutim i atillë. Jo në mënyrë absolute. Në mars ishin të gjithë të prekshëm, tani me vatra-vatra kuptohet, një % shumë e lartë e ka kaluar e si rrjedhojë edhe ky problemi i izolimit bie shumë më poshtë”, tha ai.

Panelisti tjetër në emisionin “Ilva Now”, mjeku Dritan Ulqinaku theksoi se qytetarët sot duan të kthehen sa më parë në normalitet.

“Do doja që të kthemi në normalitetet, atë normalitet të cilin ne e kemi sharë. Ta gëzojmë ditën, ta shijojmë jetën sepse realisht mësuam se nuk ka rendësi leku, as gjendja ekonomike, ka rëndësi gjendja emocionale, familja dhe shoqëria”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat