Kritikat, mjeku Allkja merr paralajmërim për pushim nga puna

Shqipëria

Kritikat, mjeku Allkja merr paralajmërim për pushim nga puna

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 15:34
Ilir Allkja

Ilir Allkja, mjek urgjence është një ndër të paktët punonjës të shëndetësisë që kritikon hapur prej fillimit të pandemisë mënyrën se si funksionon ky sistem.

Me herët i kanë bërë paralajmërim për largim nga puna, ndërsa këtë të enjte e kanë thirrur posaçërisht për këto qëndrime drejtues të QSUT. Ai pretendon se i kanë kërkuar sqarim për çdo deklaratë publike.

“Mu kërkuan sqarime rreth disa komunikimeve për mediat, të tipit përse kam folur për testimet, për infektimet, për të sëmurët në ambulanca. Mu duk sikur nga urgjenca, nga shërbimi sepse këtë mbrëmje e kam gdhirë në punë, shkova në një zyrë hetuesie ku më kërkohej llogari gjëra që kanë të bëjnë me angazhimin tim si qyteza i lirë dhe si mjek”, thotë Allkja.

Mjeku i urgjencës megjithatë thotë se nuk do të reshtë së informuari publikun për atë që ndodh brenda spitaleve.

“Kam komunikuar me mediat, me njerëzit në të mirën publike të njohjes së situatës dhe të korrigjimit të gjërave. Për mua në një sistem demokratik është ‘A-ja’ që intelektuali të bëjë vërejtje, të kërkojë përmirësime. Nuk mu komunikua asnjë masë, ishte një takim rreth 30 minuta”, shprehet mjeku.

Përveç pretendimit te mjekut për këtë seancë sqarimi në lidhje me kritikat publike, të kërkuar nga drejtues të QSUT, këta të fundit nuk kanë bërë publike për mediat arsyet e marrjes në pyetje apo qëndrimin ndaj tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat