I vendosën tritol në makinë një natë më parë, zbardhet dëshmia e pronarit: Sapo isha futur në banesë

Shqipëria

I vendosën tritol në makinë një natë më parë, zbardhet dëshmia e pronarit: Sapo isha futur në banesë

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 12:51
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një shpërthim me tritol ka ndodhur në makinën e një personi në Shkodër ditën e djeshme.

Sot është zbardhur dëshmia e shtetasit Nazmi Bandula në makinën e të cilit një natë më parë shpërtheu një sasi e konsiderueshme e dyshuar si tritol.

Nazmi Bandula ka deklaruar për policinë se nuk e kanë idenë se kush e ka vendosur tritolin për shkak se nuk probleme apo konflikte me ndonjë person.

“Unë sapo isha futur në banesë dhe pak minuta më përpara kam qenë brenda oborrit. Janë ngjitur në shtëpi dhe më pas ka shpërthyer. Nuk e kam idenë se kush mund ta ketë vendosur. Fuoristrada ime ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë që në orët e paradites. Kam dalë në mëngjes kam ngrënë diçka dhe më pas jam rikthyer në shtëpi dhe e kam lënë makinën aty brenda oborrit. Nga ai moment nuk e kam lëvizur më ndaj nuk e kam idenë se si mund të ketë ndodhur”, është shpreh ai.

Ndërkohë nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar por dëme të konsiderueshme materiale në mjetin tip fouristradë X5 si dhe banesën e Nazmi Bandulës.

Sipas burimeve nga vendngjarja, familja e Nazmi Bandulës ndodhej brenda në shtëpi në momentin kur ka shpërthyer sasia e dyshuar e tritolit. Dyshohet se mund të jenë të paktën rreth 300 gram lëndë eksplozive e vendosur ndaj mjetit.

Për policinë do të jetë e vështirë për ta zbardhur si ngjarje për shkak se në rrugicën ku banon Nazmi Bandula në lagjen “Partizani” por edhe në shtëpinë e tij nuk ka kamera sigurie për të vërejtur se cilët janë personat që mund të kenë lëvizur në atë rrugicë. Të vetmet kamera janë në rrugën kryesore në unazë, por nga aty nuk ka pamje të hyrjes së rrugicës.

Dyshimet e forta janë se sasia e dyshuar e tritolit mund të jetë vendosur shumë përpara se të shpërthente kur mjeti ka qenë jashtë oborrit të shtëpisë për shkak se rrugica e banesës është e ngushtë si dhe shtëpia ka mur të lartë rrethues. Policia po heton të gjithë lëvizjet e fundit të shtetasit Nazmi Bandula. Deri më tani nuk ka autor të dyshuar lidhur me këtë ngjarje të ndodhur ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë. Nazmi Bandula është një person me precendent penal sepse është arrestuar në vitin 2012 pas një konflikti pronësie me vëllanë e tij të cilit i ka drejtuar armën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat