Skandal në Sarandë, prona u grabit me dokumente false

Shqipëria

Skandal në Sarandë, prona u grabit me dokumente false

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Skandali i grabitjes së pronave publike ne bregdetin e Sarandës me dokumente të falsifikuara duket se vetëm bashkinë dhe kadastrën e këtij qyteti nuk i shqetëson, të cilat kanë detyrë ligjore  për ti mbrojtur. ABC sjellë të tjera dokumente të cilat faktojnë se dy persona pretendojnë se gëzojnë pronësinë e 1200 metrave katrorë tokë e cila në fakt është lulishte në pronësi të bashkisë së qytetit.

Kjo është kontratë me të cilën Trashëgim Iliazi pretendon se ka pronësinë e parcelës 165/1 në bllokun H-6. Por sipas bashkisë së Sarandës, kjo parcele nuk ekziston. ABC publikoi dokumente për këtë fakt, tre ditë më parë. Kjo kontratë është e datës 30 gusht 2001, e dorëzuar në kadastër dhe saktëson të dhënat e pronës.

Në të njëjtën ditë, Trashëgim Iliazi, me të njëjtat të dhëna, firmos një tjetër kontratë para noterit me bashkinë. Por në dokumentin e ri, numri rep dhe kol është i ndryshëm nga kontrata e parë. Kadastra, pasi ka shqyrtuar dokumentat për 600 metra katrorë që pretendon Iliazi, duhet t’i kthente ato dhe të mos e regjistronte këtë pronë. Por ky institucion shtetëror ka vepruar ndryshe, duke e regjistruar sipërfaqen.

Le të analizojmë kontratën e shtetasit Armandi Nelaj për sipërfaqen tjetër prej 600 metrash katrorë, e cila pretendohet se është parcela 164/1, po në bllokun H-6. Edhe kjo pronë më këtë numër sipas bashkisë, nuk ekziston. Kjo kontratë është lidhur në datën 24 qershor 2002. Pretenduesi Nelaj ndryshe nga Iliazi, ka qënë me i sigurtë, duke dorëzuar në kadastër vetëm një kontratë. Por po t’i shohim të dyja kontratat, kanë mangësi të theksuara pasi nuk janë disa elementë që e bëjnë atë të vlefshme. Mungon emri , mbiemri dhe atësia e palëve me shkrim dore, numri e faqeve dhe lidhja me vulë nga ana e noterit. Do të mjaftonin këto fakte që kadastra e Sarandës të refuzonte regjistrimin e pronës.

Ne do të publikojmë edhe një tjetër dokument i cili është i falsifikuar. Ky është mandati i pagesës prej 360 mijë lekësh që Trashëgim Iliazi ka bërë në  30 gusht 2001 në bankën e kursimeve të atëhershme, për truallin që e pretendon. Sapo e sheh këtë dokument bien në sy se pagesa pretendohet se është kryer nga Iliazi, por, në fund është firmosur nga Armandi Nelaj. Ndërsa ky tjetri është mandati i pagesës së bërë për gjysmën tjetër të pronës. Në pamje të parë duket me i saktë pasi pagesë dhe firmosja është bërë nga i njëjti person, Armandi Nelaj.

Bashkia e Sarandës pas denocimit të tre qytetarëve për grabitjen e pronës publike i ka bërë një kërkesë thesarit të shtetit për të  konfirmuar këto dy mandate pagesash. Përgjigja e sjellë nga ky institucion do të mjaftonte për ndalur masakrën që po ndodh me lulishten e cila po i grabitet qytetarëve. Siç shihet në kthimin e përgjigjes, konfirmohet se asnjë nga transaksionet e pretenduar, nuk figuron në llogarinë e thesarit të shtetit.

Këto janë prova dhe fakte që vërtetojnë pretendimet e tre qytetarëve që prona publike po grabitet dhe minimumi kadastra duhet të anuloje procedurën. Bashkia duhet të bëjë transparencë në vend që t’i fshihet asaj. Ndërsa prokuroria prej 6 muajsh ende nuk ka një vendim për hetimin e nisur mbi këtë skandal. Provat dhe dokumentet janë të pakundërshtueshme dhe kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të ligjit, e cili kërkon zgjidhje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat