Puna e SPAK/ Meta: Pyesni qytetarët, me këtë parlament njëpartiak s’ka drejtësi të pavarur

Shqipëria

Puna e SPAK/ Meta: Pyesni qytetarët, me këtë parlament njëpartiak s’ka drejtësi të pavarur

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 19:25
Ilustrim

Gjykata Kushtetuese, edhe pse jo me 9 anëtarë, tashmë është funksionale.

Gjatë intervistës së tij për gazetaren Matilda Mcini dhe Ora News, presidenti i Republikës Ilir Meta uroi që Gjykata Kushtetuese, të tregojë pavarësi, integritet dhe t’i qëndrojë besnike Kushtetutës.

Pyetje: Zoti President, Gjykata Kushtetuese do të duhet të shqyrtojë një prej çështjeve më të rëndësishme, legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, çfarë prisni ju në këtë aspekt, jo vetëm por edhe prishjen e Teatrit Kombëtar?

Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë shumë çështje të rëndësishme të cilat tashmë janë atje. Unë uroj që Gjykata Kushtetuese, të tregojë pavarësi, integritet dhe t’i qëndrojë besnike Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Sa i përket SPAK dhe punës së tij të deritanishme, presidenti Meta u shpreh se për këtë është më mirë që të pyeten qytetarët.

Sipas tij, me këtë presion të madh të parlamentit njëpartiak ndaj organeve të drejtëesisë, pavarësia dhe besueshmëria e tyre do të vendoset pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Pyetje: Pjesë e Reformës në Drejtësi është dhe krijimi i SPAK,  apo institucionit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Si e shikoni deri më tani punën dhe pozicionin e SPAK-ut, në raport me pritjet e qytetarëve dhe a ka shpresë të ofroj një model të munguar SPAK apo të gjitha institucionet e drejtësisë…

Presidenti Meta: Për këtë është më mirë të pyesni qytetarët. Unë, e theksoj dhe një herë tjetër që të gjitha institucionet e drejtësisë, do të mund të tregojnë pavarësinë, integritetin dhe besueshmërinë e tyre pas 25 Prillit. E them këtë sepse, me një Parlament një partiak, me këtë presion të jashtëzakonshëm, që ushtrohet ndaj institucioneve të drejtësisë, me këto ligje që bëhen për të vendosur policinë mbi SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit në mënyrë antikushtetuese, sigurisht, është e vështirë që të pritet pavarësi dhe rezultate të besueshme nga këto institucione, dhe nga të gjitha institucionet e reja të drejtësisë. Sepse kjo është çështje e vullnetit politik.

Sigurisht, të gjithë e kanë pasur dhe do ta kenë këtë mundësi nëse do të ishin produkt i Reformës në Drejtësi në mënyrë Kushtetuese siç u votua me 140 vota. Por ne,  i dimë të gjitha deformimet që janë bërë, që pikërisht këto institucione të mos kenë pavarësinë e duhur dhe të kërkuar.  Në mënyrë që të mos jenë ato rezultate, të cilat do të kishin parandaluar, apo do të kishin goditur kapjen e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat