Instituti për Demokraci i kërkon Qeverisë që përzgjedhja e kuadrove udhëheqëse të mos bëhet sipas përkatësisë partiake

Shqipëria

Instituti për Demokraci i kërkon Qeverisë që përzgjedhja e kuadrove udhëheqëse të mos bëhet sipas përkatësisë partiake

Më: 4 janar 2021 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

Gjatë emërimit të kuadrove udhëheqëse nuk duhet që si kriter bazë të përzgjedhjes të kenë përkatësinë partiake, thonë nga Instituti për Demokraci. Sipas kësaj organizate të shoqërisë civile, institucionet nuk duhet t’i udhëheqin ata që dëshirohen, siç është praktika tre-dekadëshe në Maqedoni, por ata që janë më të nevojshëm.

“Institucionet funksionale të shtetit janë parakusht për qeverisje demokratike, transparente dhe efektive dhe për qytetarë të kënaqur. Ndërtimi i institucioneve të forta shtetërore është i mundur vetëm nëse ato menaxhohen nga njerëz me përvojë, profesionistë dhe cilësorë”, vlerëson Instituti për Demokraci.

Mënyra e zgjedhjes së kuadrove udhëheqëse, sipas Institutit për Demokraci, duhet të jetë transparente dhe lehtësisht e arritshme për të gjitha palët e interesuara, përmes njoftimeve publike me një afat të caktuar që duhet të plotësohet. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të vendosen kritere sipas të cilave më të vlerësuar do të jenë njerëzit që kanë integritet, cilësi dhe përvojë përkatëse.

“Nëse qeveria dëshiron të tregojë se punon në interes të të gjithë qytetarëve, duhet ta flakë përkatësinë partiake si përparësi. Kthimi i besimit të qytetarëve në institucione është i mundur vetëm nëse procesi i përzgjedhjes së zyrtarëve udhëheqës është i dokumentuar si duhet dhe i disponueshëm për publikun dhe nëse tregon pa mëdyshje pse ai person është më i përshtatshmi për pozicionin e punës”, thuhet në reagimin e Institutit në fjalë.

Në proces janë disa ligje, të cilët do t’u mundësojnë institucioneve shtetërore dhe administratës të përdorin maksimumin dhe të punojnë në shërbim të qytetarëve, por miratimi i tyre kërkon vullnet të fortë politik. Zbatimi i ligjeve, nga ana tjetër, kërkon institucione të udhëhequra nga kuadro me përvojë, të kualifikuar dhe cilësor. Në këtë mënyrë, institucionet do të justifikojnë ekzistencën e tyre dhe do të punojnë në shërbim të publikut, në vend të interesit privat, elitave politike dhe biznesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat