Metani: Ka ikur koha kur gjyqtarët e prokurorët luanin me qytetarët

Shqipëria

Metani: Ka ikur koha kur gjyqtarët e prokurorët luanin me qytetarët

Më: 4 janar 2021 Në ora: 15:53
Artur Metani

“Ka ikur koha, që gjyqtarët e prokurorët që luajnë me interesa publike, apo me interesat e qytetarëve të mos kenë pasoja”, deklaroi Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani gjatë një intervistë televizive lidhur me punën e institucionit në 11 muaj funksionim dhe mbi efektet e pritshmëritë e reformës në drejtësi.

I pyetur mbi gjendjen aktuale të drejtësisë dhe institucioneve të dala prej saj, Metani nënvizoi se reforma e thellë kushtetuese, ligjore dhe institucionale, të cilës iu nënshtrua sistemi i drejtësisë, me një arkitekturë të re, padyshim që kërkon kohën e vet, pasi sistemi është në vështirësi por mekanizmi ka filluar të lëvizë dhe tani është koha për rezultate.

“Tani fillon sfida tejet e rëndësishme, zbatimi i kompetencave që këto institucione kanë dhe realizimi i qëllimit, për të cilin këto institucione u krijuan, si kthimi i besimit të publikut, dhënia e një drejtësie të paanshme jashtë interesave të çdo fushe, e kështu me radhë. Natyrisht kjo ka sjellë edhe vështirësitë në sistem. Vështirësitë kanë ardhur pa dyshim, edhe nga lëvizjet për shkak të shkarkimeve të magjistratëve nga organet e vlerësimit kalimtar, ato që quhen organet e vettingut; padyshim kanë ardhur, vijnë dhe do vijnë edhe nga ndërhyrjet e jashtme të sistemit, siç janë inspektimi apo monitorimi i punës së gjyqtarëve e prokurorëve nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Por duhet thënë se reforma nuk është vetëm kjo”, tha Metani.

Ai tha se “reforma ishte ngritja e institucioneve por edhe ndryshimet në kodet e procedurave civile e penale, në gjykimet penale e civile, që do thotë se ka procedura të reja nga gjykatat e prokuroritë dhe sigurisht këto nuk janë ndryshime që e japin efektin për një ditë, një vit a dy vjet. Efekti i tyre do kohën e vet”.

“Është e natyrshme që të ketë kohën e vet. Ajo që unë mendoj se është e rëndësishme është që institucionet po tregojnë se mekanizmi ka filluar të funksionojë dhe jam plotësisht dakord me opinionin e përgjithshëm, që qytetarët kanë nevojë të shohin rezultate. Tashmë është koha e rezultateve dhe jo më e justifikimeve, sigurisht duke e balancuar kërkesën për rezultate me sfidat që përmenda më sipër. Duke patur parasysh këtë filozofi mendimi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që prej funksionimit të tij më 1 shkurt 2020 ka bërë detyrën e vet, me ngritjen e institucionit krejt nga fillimi por edhe me masat e para ndaj dy gjyqtarëve e të tjerë magjistratë janë në proces disiplinor a hetimor”, u shpreh Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Lidhur me filozofinë e punës së institucionit që drejton, Metani tha se duke balancuar interesin publik e pavarësinë e magjistratëve, padyshim që gjyqtarë e prokurorë që shkelin ligjin, duhet të kenë frikë e do përballen me pasojat që parashikon ligji.

“Për mua është e rëndësishme që Inspektori i Lartë i Drejtësisë të jetë një institucion i balancuar në qëndrimet e veta, sa i takon ndërhyrjeve të tij në sistemin e drejtësisë, si për gjyqtarët e prokurorët, sepse nga njëra anë duhet të respektojë interesin e publikut për administrimin e drejtësisë, – publiku ka interes të shohë edhe si funksionon sistemi-, por nga ana tjetër ky interes duhet balancuar edhe me pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, edhe me ndarjen e pushteteve, edhe me parimet e procesit të rregullt ligjor e kështu me radhë, që do të thotë se Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk është dhe nuk mund të jetë apo të qëndrojë si cekan në kokat e gjyqtarëve. Por padyshim, ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë shkelur ligjin, apo që kanë shkelur interesat e shenjta të dhënies së drejtësisë, duhet të kenë frikë. Sa i takon ILD-së ka ikur koha, që gjyqtarët e prokurorët që luajnë me interesa publike, apo me interesat e qytetarëve të mos kenë pasoja”, tha Metani.

Ne sot, kemi rreth 2 300 apo 2 400 ankesa, që kanë ardhur nga dita e parë e konstituimit. Ne kemi marrë me prioritet të gjitha këto ankesa, duke u fokusuar tek ankesat që kanë dhe interes më të lartë publik dhe duke parë dhe nga reagimi i mediave apo publikut, ne ndërhymë dhe bëjmë inspektimet e duhura. Ne sot kemi çuar dy gjyqtarë në KLGJ, kemi në proces dhe pesë magjistratë. Kemi në proces verifikimi në 40 raste, që mund të shkojnë dhe në proces hetimi”, tha Metani.

“Shkeljet që janë evidentuar deri më tani, janë shkelje që lidhen me zgjatjen e proceseve, mos arsyetimin e vendimeve gjyqësore, duke shkelur të drejtat e palëve në proces. Por filozofia e ILD duhet të jetë e fokusuar në inspektime përgjithësuese që nxjerrin problematika të sistemit të drejtësisë, ky është dhe objektivi, pra tematika që dalin nga perceptimi i ILD, nga ankesat e qytetarëve. Kështu i shërbejmë drejtësisë, sistemit gjyqësorë dhe publikut në fund”,- thekson Metani.

“Nuk kemi patur deri më sot asnjë ankesë që lidhet me SPAK. Këto do i shohim në vijim. Në media mund të dalin situata, por është e rëndësishme se ku mund të hyjë dhe hetojë ILD. Jo çdo gjë që mund të ketë reagim publik mund të nxis ILD të inspektoi, por me rëndësi është ndërhyrja e ILD të jetë e balancuar dhe të jetë aty ku është shkelur ligji”,- tha Metani më tej.

Duke folur për rekrutimin e Inspektorëve, Metani tha se “Numri Inspektorëve të parashikuar në ILD është 26, 13 magjistratë, 13 juristë të paktën me 15 vite eksperiencë pune. Që prej nisjes së punës kam bërë thirrje të aplikojnë për këto pozicione. Sa i takon gjyqtarëve, ka patur 0 interes, Kemi shpallur katër herë thirrjen për vendet vakante. S’ka patur asnjë aplikim, ska patur një kërkesë. Nga KLP sapo morëm tre propozimet e para për vendet inspektor, ndërsa kemi vijuar punën për inspektorët që vijnë nga jashtë sistemit të magjistraturës. Tani pritet pikëzimi i kandidatëve. Më shqetëson fakti se nga sistemi gjyqësor nuk ka aplikime dhe kjo vjen edhe për shkak të kritereve të larta të vendosura, pasi me këto kritere gjyqtarët mund të aplikojnë në gjykatën e lartë apo të apelit. Kjo është arsyeja përse kam kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të rishikojë këtë moment në ligj, duke bërë dhe një analizë të panoramës së gjyqtarëve që kemi në Republikën e Shqipërisë dhe vitet që kanë eksperiencë pune”,- tha Metani.

“Propozimet janë në tre drejtime. Garant i funksionimit të ILD përmes gjyqtarëve e prokurorëve që vijnë nga sistemi, duke ulur kriterin nga 15 vite eksperiencë pune, në shtatë vite eksperiencë pune, sikurse nevojitet për të aplikuar për gjyqtarë Apeli. Kriterit i dytë, lidhet me marrëdhënies së sektorit të ILD me inspektorët e vetë. Dhe ndryshim i tretë lidhet me barazimin e pagës mes inspektorëve, sot parashikohet që gjyqtarët e prokurorët kanë një pagë të caktuar, ndërsa paga e inspektorëve që vijnë nga radha e juristëve kanë një pagë shumë më të ulët se gjyqtarët e prokurorët”,- u shpreh Metani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat