Reshjet përmbytin tokat në veri dhe jug të Shqipërisë

Shqipëria

Reshjet përmbytin tokat në veri dhe jug të Shqipërisë

Më: 8 janar 2021 Në ora: 15:33
Reshjet përmbytin tokat në veri dhe jug të Shqipërisë

Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës kanë sjellë probleme në disa zona të vendit. Më e rënduar situata është në Shkodër. Drini e Buna kanë përmbytur rreth 1600 ha tokë bujqësore. Bashkia Shkodër ka kërkuar ndihmë për transportin e banorëve të fshatit Obot nga makinat e ushtrisë, pasi rruga është e pakalueshme për mjetet e tjera.

Probleme ka pasur edhe në Lezhë. Në lagjen “Besëlidhja” ka prezencë të madhe të ujit. Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në digë, kanë nisur shkarkimet nga hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit. Kjo ka sjellë rritjen e nivelit të prurjeve në lumin Mat, duke ngritur alarmin për përmbytje në zonën e bregut të Matës në Lezhë dhe Fushë Kuqes në Kurbin.

Reshjet rikthyen përmbytjet në Durrës, ku dhjetëra rrugë u bënë të pakalueshme për këmbësorët, pasi uji doli në nivelet e trotuareve, ndërsa vështirësi në qarkullim patën dhe automjetet.

Raportohet se lumi Erzen dhe lumi Ishëm kanë dalë nga shtrati dhe uji ka depërtuar në 15 banesa. Në Jubë e Katund të Ri, Rrushkull e disa fshatra të tjerë janë evakuuar dhjetëra familje.

Dalja e lumit Vjosa nga shtrati solli gjithashtu probleme edhe për Fierin dhe Vlorën. Shtabi i emergjencave në qytetin bregdetar ka nisur njoftimet për evakuimin e banorëve dhe bagëtisë për 15-20 banesa brenda shtratit të lumit.

Edhe në Borsh, reshjet e vazhdueshme të shiut kanë sjellë rrëshqitjen e rrugës, duke krijuar vështirësi në kalimin e automjeteve./tvklan.al/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat