Kaos me vaksinën, institucionet përgënjeshtrojnë njëri-tjetrin

Shqipëria

Kaos me vaksinën, institucionet përgënjeshtrojnë njëri-tjetrin

Më: 12 janar 2021 Në ora: 11:25
Foto ilustrim

Tentativa për ta mbajtur sekret gjithë operacionin e sjelljes së vaksinën në vendin tonë, duke e mbështetur gjithçka vetëm në propagandë, po i kthen edhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse në qesharak përpara publikut.

Kështu, mbrëmjen e djeshme ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e  pyetur në një studio televizive se sa janë kapacitetet e Shqipërisë për të ruajtur në zinxhirin ftohës vaksinën, ajo u mburr se mund të ruhen deri në 250 mijë doza.

”Me kapacitetin aktual pra me rrjetin e frigoriferëve që kemi në minus 70 gradë, sipas edhe çfarë ekspertët kanë vlerësuar, ne jemi në gjendje që të kemi një kapacitet ftohës për këtë vaksinë deri në 250 mijë doza. Ndërkohë që jemi duke punuar për ta rritur akoma më shumë këtë kapacitet”, deklaroi Manastirliu.

Por të njëjtën mbrëmje këtë deklaratë të ministres e ka përgënjeshtruar “pa dashje” shefja e Programit Kombëtar të Vaksinimit, Erida Nelaj, e cila drejton institucionin që është direkt përgjegjës për operacionin e vaksinimit.

“Ne kemi kapacitet 30 mijë doza njëherë. Po punojmë për të zgjeruar kapacitet. Në përgjithësi i kemi kapacitetet”, ka deklaroi Nelaj për televizionin Euronews, duke e ulur me gati 10-fish propagandën dhe mashtrimin e ministres.

Ky kaos ka nisur që në fillim të këtij operacioni. Fillimisht u deklarua nga kryeministri, se 10 mijë vaksinat e para do të vinin në fund të këtij muaji, por papritur u gjend një sasi sa për të inauguruar procesin në stadiumin “Air Albania”, ku Edi Rama së bashku me disa mjekë dha shfaqjen e parë live.

Ndërkohë askush nuk tregon kontratën me Pfizer dhe se kur dhe nga cili shtet do bëhet transporti i 500 mijë vaksinave, që ka deklaruar vetë Rama se tashmë i ka siguruar.

Vaksina e Pfizer kërkon kushte shumë specifike të ruajtjes dhe transportimit të saj, deri në -70 gradë dhe shumë vende me infrastrukturë dhe teknologji shëndetësore të zhvilluar kanë hasur vështirësi për këtë proces, pasi nëse shkelen këto kushte vaksina e humb efektivitetin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat