Nga edukatorët te mësuesit e gjimnazeve/ Zbardhet rritja e pagave për çdo pozicion

Shqipëria

Nga edukatorët te mësuesit e gjimnazeve/ Zbardhet rritja e pagave për çdo pozicion

Më: 15 janar 2021 Në ora: 16:03
Foto Ilustrim

Zbardhet struktura e re e pagave për mësuesit, nga ata që punojnë në kopshte deri te gjimnazet, përfshirë strukturat drejtuese apo mbështetëse të arsimit.

Vendimi i marrë vitin që shkoi ka hyrë në fuqi në 13 janar me botimin në Fletoren Zyrtare ku saktësohen pagat e reja, që së bashku me treguesit e tjerë, si kategoria, pozicioni e vjetërsia, përbëjnë pagën bruto. Rritja e fundit për arsimtarët është bërë në mars të 2017- ës. Konkretisht, drejtorët e shkollave me mbi 700 nxënës, nga 58.300 pagë për pozicion, marrin 11 mijë e 850 lekë më shumë. Ndërsa një mësues i arsimit fillor në një shkollë 9-vjeçare, nga 36.850 lekë do të marrë në fillim të shkurtit mbi 45 mijë lekë. Saktësisht, 8350 lekë më shumë. Ende pa hyrë në fuqi vendimi, mësuesit kanë nisur ankesat e para, pasi në përllogaritjet që bëjnë rritja nuk është ajo e deklaruar, 15%, por më pak. Një tjetër pakënaqësi kjo, pas asaj të diferencimit të lartë krahasuar me rritjen që u është bërë mjekëve. Brenda pak ditësh pritet të zyrtarizohet edhe lista e pagave për bluzat e bardha, të cilat do të njohin rritjen më të madhe në histori, me 40 për qind.

SI LLOGARITET PAGA

Në tabelën bashkëngjitur shkrimit paraqitet niveli i pagës me rritje prej 15% të bërë rishtas. Por ajo nuk tregon vlerën që merr çdo mësues në fund të muajit, në bazë të pozicionit që ka në shkollë. Për ta përllogaritur nevojitet një shumatore me tregues të tjerë. Së pari, është paga e grupit, prej vitesh e pandryshueshme në masën 14 mijë lekë. Së dyti, vjetërsia që është 2% për çdo vit pune. Pra, nëse një mësues ka dhjetë vite punë, atëherë 10-ta shumëzohet me 2% të pagës bazë (14 mijë lekëshit) dhe që është 2800 lekë. Treguesi i tretë që shërben për të llogaritur pagën e diferencuar të çdo mësuesi është shkalla e kualifikimit, që është 5, 10 dhe 20% e pagës bazë.

Një mësues mjeshtër i kategorisë së parë përfiton 2800 lekë. Nëse je mësues në arsimin e mesëm të ulët në shkollat 9-vjeçares, nga 39 mijë e 50 lekë, niveli i pagës bëhet 48 mijë e 300. Shumatorja e të gjitha shifrave të lartpërmendura përbën pagën mujore të çdo mësuesi bruto(!). Nga kjo sasi, për pagën neto duhet të zbriten përqindjet e taksimit të të ardhurave si dhe ato për sigurimet shoqërore e shëndetësore që janë fikse. Pjesë e strukturës me pagat në rritje janë edhe punonjës të tjerë në arsim, përfshirë qendrat kulturore të fëmijëve dhe konvikteve të nxënësve. Jashtë saj janë lënë psikologët dhe punonjësit socialë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat