Kritikat e Ramës për BE-në/ Presidenti: Gjithmonë do ja vëmë fajin dikujt, se nuk marrim asnjëherë përgjegjësi

Shqipëria

Kritikat e Ramës për BE-në/ Presidenti: Gjithmonë do ja vëmë fajin dikujt, se nuk marrim asnjëherë përgjegjësi

Më: 16 janar 2021 Në ora: 19:00
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta u përgjigj edhe për kritikat që kryeministri Edi Rama ka drejtuar në adresë të Bashkimit Evropian. Gjatë intervistës për emisionin “Kjo Javë”, Kreu i Shtetit, tha se gjithmonë do ja vëmë fajin dikujt, pasi asnjëherë nuk marrim përgjegjësi.

Sipas Presidenti Meta, Bashkimi Evropian për rastin e vaksinave ka bërë për Shqipërinë aq sa ka bërë edhe për vendet e tjera të Ballkanit.

Pyetje: Zoti Meta, tërhoqi vëmendje deklarata e kryeministrit Rama nga Ankaraja disa ditë më parë, në konferencën për shtyp me Presidentin turk Erdogan. Ai kritikonte Bashkimin Europian, pasi sipas tij nuk mbështeti sa duhet Shqipërinë gjatë pandemisë. A ndani Ju, të njëjtën qasje?

Presidenti Meta: Sa i përket pandemisë, qytetarët shqiptarë, më pak se kushdo tjetër, i mbështet qeveria jonë. Po të shohim të gjitha statistikat dhe të dhënat e institucioneve ndërkombëtare, të gjithë treguesit e thonë qartë se Shqipëria, është vendi i fundit që ka mbështetur sektorin e shëndetësisë gjatë pandemisë. Ne jemi vendi i fundit që, ka mbështetur biznesin dhe sipërmarrjen.

Shikoni sa paketa ekonomike kanë bërë vendet fqinje me ne, shikoni sa paketa ka bërë Kosova, se nuk po flas për vende të tjera. Ndërkohë shikoni dhe buxhetin e fundit të shtetit, që unë e ktheva, me qëllim, për t’i dhënë mundësi qeverisë që të reflektonte mbi këto prioritete: Për të mbështetur më fortë sektorin e shëndetësisë dhe biznesin, që po pëson kosto të jashtëzakonshme. Kjo gjë nuk ndodhi.

Ndërsa përsa i takon Bashkimit Europian, mendoj se ata, kanë bërë përpjekjet e tyre, si për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, cilat kanë qenë përpjekjet tona kjo është një çështje tjetër. Është njëlloj si të fajësojmë Bashkimin Evropian, për mos çeljen e negociatave! Kur Bashkimi Europian na ka thënë prej kohësh se, cilat janë kushtet.

Ne, gjithmonë do ja vëmë fajin dikujt, se nuk marrim asnjëherë përgjegjësi. Prandaj ka ardhur kohë për një ndryshim, që qytetarët të marrin përgjegjësi dhe të vendosin para përgjegjësisë politikanët, që kurrë nuk marrin përgjegjësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat