Koalicionet me rezultatet e zgjedhjeve të kaluara/ Mediu e Idrizi kërkojnë hapësirë më 25 prill!

Shqipëria

Koalicionet me rezultatet e zgjedhjeve të kaluara/ Mediu e Idrizi kërkojnë hapësirë më 25 prill!

Më: 19 janar 2021 Në ora: 13:06
Foto ilustrim

Opozita e bashkuar e ka bërë thuajse të qartë formulën se si do të dalin me dy lista koalicionesh në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një listë PD-ja me aleatët e vegjël dhe në listën tjetër LSIja me partitë me filozofi të majtë. Por PD-ja ende nuk ka ndarë në vija teknike hapësirën që do të mbajë çdo aleat në listën e zgjedhjeve që zhvillohen pas më pak se 100 ditësh.

Deri më tani grupi negociator i mandatuar nga kryedemokrati Basha, Gazment Bardhi, Edi Paloka dhe Alfred Rrushaj, kanë bindur Agron DUkën e PAA-në që të jetë në të ashtuquajturën listë fituese të PD-së, ndërsa në 11 qarqet e tjera të ketë përfaqësuesit e tjerë por jo në listën fituese.

Ndërkohë, më e lehtë ka qenë negociata me kreun e PDK-së Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin e LZHK-së. Ndoka ka propozuar disa emra te selia blu për në disa qarqe që sipas tij maksimalizojnë votat. Po kështu edhe Dashamir Shehit i është premtuar se do të jetë pjesë e listës fituese në qarkun e Tiranës. Sakaq, drejt arritjes së marrëveshjes PD-ja është edhe me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dulen, i cili pritet të jetë pjesë e listës së opozitës në Korçë.

NEGOCIATAT ME PR E PDIU

Ndonëse negociatat me 4 të parat kanë qenë relativisht të lehta, grupi negociator duket se nuk po arrin të gjejë një formulë që maksimalizon votat, duke stimuluar të gjitha palët që të punojnë dhe të sjellin sa më shumë vota në “shportën” e opozitës.

Burime pranë kampit opozitar bëjnë me dije për gazetën “Panorama” se të dy aleatët, si Mediu edhe Idrizi, i kanë paraqitur në tavolinën e diskutimit PD-së rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme dhe kërkojnë që mbi bazë të tyre të caktohet edhe hapësira specifike për kandidatët e tyre brenda opozitës.

Mësohet se PR-ja kërkon të ketë 2 kandidatë në të ashtuquajturën vijë e sigurt dhe 5 në limite; po kështu, edhe PDIU-ja. Por si ka qenë performanca e dy aleatëve të Bashës  në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Marrim për referencë këtë vit, pasi në 2017-ën të gjithë aleatët u futën në listën e kandidatëve të PD-së pas marrëveshjes së 17 majit dhe ishte e pamundur matja e votave për secilin nga aleatët. Në zgjedhjet e 2013-ës, Partia Republikane ka fituar 3 mandate, 1 mandat në Tiranë me 10561 vota, 1 mandat në Elbasan me 6266 vota dhe 1 mandat në Durrës me 10519 vota.

Ndërsa PDIU-ja në zgjedhjet e 2013-ës ka fituar 4 mandate. 1 mandat në kryeqytet me 9173 vota, 1 mandat në Elbasan me 12110 vota, 1 mandat në Vlorë me 6782 vota dhe 1 mandat në qarkun e Fierit me 9058 vota. Ndërkohë, në tabelën e përllogaritjes përfundimtare të votave, PR-ja rezulton se ka marrë mbi 52 mijë vota në të gjithë Shqipërinë, ndërsa PDIU-ja rreth 45 mijë vota. Ndërkohë, në zgjedhjet e 25 prillit, pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, formula e koalicionit s’mund të jetë si në 2013-ën.

Këtë vit lista do të jetë e ngjashme me atë të 2017-ës, pasi të gjitha partitë në koalicion do të duhet të përfshihen në një listë të vetme. Por ajo që ndryshon në këto zgjedhje është fakti se mund të votohet edhe në mënyrë preferenciale kandidati. Pra zgjedhësi do ketë mundësi të zgjedhë koalicionin dhe brenda atij koalicioni mund të zgjedhë një kandidat që mund të jetë nga emrat e propozuar nga PD-ja ose nga aleatët. Kjo mund të shërbejë edhe si një barometër për të matur forcën politike të çdo aleati në koalicionin e PD-së.

Prishet tradita, aleatët tradicionalë të PD, drejt marrëveshjes së fundit

Jemi mësuar prej vitesh që PD-ja të firmosë marrëveshjen e koalicionit kryesisht me partitë aleate tradicionale si PR-ja, PLL-ja etj., por këtë herë duket se tradita është shkelur. PD-ja dakordësoi fillimisht me Agron Dukën, kryetarin e PAA-së. Duka e ka nisur karrierën e tij politike si prefekt në Durrës i emëruar nga Blendi Klosi, aktualisht ministër i qeverisë Rama.

Po ashtu, Duka ka qenë edhe ministër i Bujqësisë me qeverinë e Fatos Nanos, ndërsa gjatë kohës që ka qenë PS-ja në opozitë ka përgatitur programin e bujqësisë me Ramën. Por prej disa vitesh ai është në koalicion me PD-në dhe iu bashkua vendimit për djegien e mandatit. Ndërkohë, ende nuk ka marrëveshje mes Mediut të PR-së dhe Shpëtim Idrizit të PDIU-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat