Pandemia, mbi 78% e grave të larguara nga puna në fasoneri pa asnjë ndihmë ekonomike

Shqipëria

Pandemia, mbi 78% e grave të larguara nga puna në fasoneri pa asnjë ndihmë ekonomike

Më: 19 janar 2021 Në ora: 19:23
Pandemia, mbi 78% e grave të larguara nga puna në fasoneri pa asnjë ndihmë ekonomike

Industria prodhuese dhe veçanërisht fasoneria është sektori më i goditur i ekonomisë nga pandemia. E në këtë situatë duket se pasojat më të rënda nga e gjithë kjo po i vuajnë vajzat dhe gratë. Përveçse shumë prej tyre kanë humbur punën, një pjesë dërrmuese nuk kanë përfituar as ndihmë ekonomike.

Një sondazh i kryer nga Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” në kuadër të monitorimit të efekteve te pandemisë tregon se 78.8% e vajzave dhe grave të larguara nga puna në fasoneri nga korriku i vitit të kaluar nuk kanë përfituar asnjë ndihmë ekonomike apo asistencë sociale për papunësi, ndërsa 88.3% e tyre nuk kishin informacion për procedurën që duhej ndjekur për të marrë pagën e papunësisë. 

Kompanitë e industrisë së prodhimit të veshjeve dhe këpucëve konsiderohen si një nga burimet kryesore të punësimit të grave në Shqipëri por sipas Mirela Arqimandriti nga Aleanca Gjinore për Zhvillim, ato përballen me paga të ulëta, punojnë në kushte të vështira, të pambrojtje sociale dhe të pa siguruara.

Pikërisht këto kanë ndikuar në faktin që gratë dhe vajzat të refuzojnë punësimin në fasoneri. Këshilltarja e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Majlinda Demko bën të ditur se pavarësisht se në total janë regjistruar 6280 kërkesa për punësim në industrinë fason,  4170 prej tyre kanë mbetur të paplotësuara, duke dëshmuar për interesin e ulët të forcës së punës.

Nënkryetarja e Parlamentit, Vasilika Hysi theksoi nevojën për të përforcuar kontrollin parlamentar në lidhje me të drejtat dhe liritë e sanksionuara me ligj në Kodin e Punës dhe e cilësoi këtë si një nga prioritetet e Kuvendit për vitin 2021 në mënyrë që punonjësve t’u garantohen të drejtat ekonomike dhe sociale.

Albana Konçi, koordinatore e projektit se gjatë disa fushatave ndërgjegjësuese ku morën pjesë mbi 250 vajza dhe gra të punësuara në 40 fasoneri në 10 qytete të ndryshme të vendit, 60% e tyre kanë raportuar për shkelje të të drejtave të punëtorëve, ku dhjetë raste janë ndjekur në mënyrë zyrtare nga Inspektorati i Punës.

Gjetjet e sondazhit u bënë të ditura gjatë një tryeze diskutimi mbi “Të drejtat e grave punonjëse në fabrikat “fasone”, si pjesë e projektit të realizuar me mbështetjen e qeverisë suedeze përmes “Olof Palme International Center”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat