Një tjetër qendër shëndetësore e rindërtuar/ Vajza e vogël i dhuron lule Ramës në Rrogozhinë

Shqipëria

Një tjetër qendër shëndetësore e rindërtuar/ Vajza e vogël i dhuron lule Ramës në Rrogozhinë

Më: 20 janar 2021 Në ora: 19:14
Edi Rama

Qendra Shëndetësore e Rrogozhinës është qendra e radhës e rehabilituar nga Programi Kombëtar i Rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore, me standardeve europiane. Puna për rehabilitimin e qendrave shëndetësore në gjithë vendin ka vijuar pavarësisht situatës së vështirë të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

“Kjo qendër jep shërbim për 14 mijë banorë”, – informon ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, teksa bashkë me Kryeministrin Rama inspektojnë ambientet e reja ku mjekë dhe infermierë punojnë në kushte dinjitoze.

Ndërkohë një vajzë e vogël i ka dhuruar lule Ramës. Rama insistoi që lulet t’ia jepte ministres Manastirliu por ajo nuk pranoi.

Rama: Jepja lulet kësaj tetës (Për Manastirliun)

Vajza: Jo asaj!

“Qendra ka qenë në kushte të amortizimit total dhe duke qenë një qendër 24 orëshe, shërbimi ka qenë shumë i vështirë për t’u dhënë. Edhe në kohë pandemie dhe përgjatë 2020-ës ia kemi dalë të vijonim me programin tonë dhe kjo qendër tashmë është transformuar totalisht”, – thotë ministrja Manastirliu.

Vetë punonjësit e kësaj qendre shprehen në lidhje me kushtet e reja.

“Kushtet kanë ndryshuar rrënjësisht. Jo për t’ju bërë qejfin, por tani jemi realisht më komod”, – thotë një prej tyre.

Kjo qendër shëndetësore ofron jo vetëm shërbim për banorët e Rrogozhinës dhe fshatrave përreth, por dhe mundësinë për të vijuar me vaksinimin falë zinxhirit ftohës që krijon mundësinë për vaksinimin e popullatës.

“Në çdo qendër shëndetësore vaksinimi është një nga programet më të rëndësishme. Ne kemi një mbulesë vaksinale të lartë për gjithë programin e vaksinimit, por në fakt dhe në situatën me COVID-in dhe me fillimin e vaksinimit, përveç qendrave të përqendruara të vaksinimit, në momentin që do kemi sasinë e vaksinave, jemi organizuar që i gjithë zinxhiri ftohës në temperatura 2 deri në 8 gradë të jetë funksional, në mënyrë që të kemi mundësi për të ruajtur në temperatura edhe vaksinën”, – deklaron ministrja e Shëndetësisë.

Në qendrën shëndetësore të Rrogozhinës gjenden edhe 2 autoambulanca në shërbim të banorëve të zonës, të cilat koordinohen nga Urgjenca Kombëtare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat